Kthimi i dënimit me vdekje është një nga çështjet që është trajtuar mësë shumti gjatë ditëve të fundit, pas ngjarjes tronditëse ku Klodian Çalamani i mori jetën Mateo Vasiut, vetëm 8-vjeç. Ftohtësia dhe qetësia që e karakterizoi autorin pas vrasjes makabre, shtoi edhe më shumë revoltën e hapur të qytetarëve, të cilët nxituan të firmosnin një poticion, ku kërkojnë rikthimin e dënimit me varje.
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari e sheh problematikën përtej ndjeshmërive. Duke analizuar të gjithë faktorët dhe krijimin e një panorame të asaj se çfarë nuk ka shkuar dhe pse ndodhi shkak-pasoja, z. Hajdari tha se Shqipëria ka dështuar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, dhe ky dështim fillon nga shteti, shoqëria, shoqëria civile.
Ai tha qartazi në rubrikën “Opinion” në “News 24” se është absurditet rikthimi i dënimit me vdekje, sepse do të dalim nga shumë konventa dhe shumë institucione. Po cilat janë rrugët për të parandaluar këto krime?
Vendi ynë ka vite që e ka lënë pas historinë e dënimit me vdekje. Dënimi i fundit me vdekje në vendin tonë është dhënë në datën 15 mars të vitit 1995. Asokohe Shqipëria ishte në qendër të kritikave për ligjet e saj mbi dënimin me vdekje nga institucionet kryesore evropiane. Më 29 qershor 1995, parlamenti i atëhershëm në drejtimin e Pjetër Arbnorit miratoi ligjin nr. 7959, për aderimin e Shqipërisë në Statusin e Këshillit të Evropës. Në tetor 1998 Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi Protokollin Nr.6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore te Njeriut , ne nenin 1 te se cilës thuhet “Dënimi me vdekje do të hiqet”. Ndërkohë që me vendimin e Gjykata Kushtetuese në datë 10.12.1999 që shpalli si antikushtetues dënimin me vdekje në Shqipëri, mori fund edhe juridikisht çështja e dënimit kapital, edhe pse kishte më shumë se 6 vite që nuk ishte kryer asnjë ekzekutim.
Shkëlqim Hajdari tha se institucionet duhet të jenë më bashkëpunuese, shoqëria civile dhe kleri fetar po ashtu, në mënyrë që këto ngjarje të parandalohen. Sipas z. Hajdari, do të ishte e udhës që të ketë ndryshime në kodin penal, e të implementohen dënime me burgim të përjetshëm për këto krime. Gjithashtu, rehabilitimi dhe izolimi i këtyre njerëzve, do të ishte çelësi i parandalimit të këtyre akteve monstruoze.
“E fundit që ka ndodhur, ka qenë në vitin 1995. Në vitin 2000 ne kemi nënshkruar protokollin e gjashtë të të drejtave të njeriut, dhe po në atë vit kemi hequr dënimin me vdekje. Duke vazhduar integrimin e vendit, e në vitin 2007, në prill të këtij viti ne e kemi hequr dënimin me vdekje për çdo krim penal. Dënimi me vdekje është zëvendësuar me burgim të përjetshëm. Sot është diskutim i vazhdueshëm për dënimin me vdekje e të gjithë bien dakord që janë kushte të tjera, që duhet të zbatojë një shtet para se të aplikojë dënimin me vdekje. Nuk është se ka rezultat të madh në parandalimin e krimeve të rënda. Shqipëria ka 26 vite që nuk e respekton dënimin me vdekje, por nisur nga ngjarja e fundit si ajo e Fierit, tregon që Shqipëria ka dështuar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve, dhe ky dështim fillon që nga shteti, shoqëria, shoqëria civile”.
“Ne duhet të kishim krijuar një institucion që nëse një minoren kryen krime, të vendosen në shkolla rehabilitimi. Ne nuk kemi një institucion që minorenët që kryejnë krimet të kenë një institucion të posaçëm, dhe veçse të kemi qëllim dënimin, të rehabilitojmë ato.
Ne sot duhet ta themi me forcë se nuk kemi një institucion bashkëkohor, për të mbajtur ato persona që kryejnë vepra penale dhe janë të papërgjegjshëm mendërisht. E gjitha bota këto njerëz i mban në institucione mjekësore, dhe i mbyll gjithë jetës brenda duke i mjekuar, rehabilituar. Kjo është sfidë e madhe.
Nisur nga situata e rëndë që ka ndodhur kohën e fundit, ne duhet të bëjmë disa ndryshime në kod penal, jo për të kthyer dënimin me vdekje. Kush kryen krim te minorenët, te dëshmitari, te gratë, atit, të mos i pranohet dënimi i shkurtuar dhe ai të vdesë në burg. Këtë Shqipëria e bën. Të kthehemi te dënimi me vdekje, do të jetë një absurditet, sepse do të dalim nga shumë konventa, nga shumë institucione. Njeriu kur e di mirë që do të dënohet për këtë krim, me dënim të përjetshëm dhe të mos aplikohet dënimi me kusht, kjo është rruga që duhet të bëjmë”, tha Hajdari.
Për ish-prokurorin, puna e shkollave, psikologëve, sociologëve, është thelbësore për parandalimin e këtyre situatave. Bashkëpunimi i këtyre komponentëve, sipas tij, do të sillte rezultate në identifikimin dhe izolimin e këtyre personave. Duke marrë shkas edhe nga kjo ngjarje, z. Hajdari sqaroi që në krye të herës se krime të tilla monstruoze ndodhin kudo, por duhet që të gjejmë një mekanizëm që kush vret fëmijë, gra, të shkojë në dënim të përjetshëm.
“Krime të tilla monstruoze ndodhin kudo. Besoj që këto ngjarje do e zgjojnë shoqërinë shqiptare që t’i luftojmë këto krime. Mos kujtoni që dënimi i përjetshëm nuk është dënim. Por ka një gjë. Ne kur ta bëjmë këtë gjë duhet të jemi të qartë, duhet të bindim çdo shqiptar që po bëtë krime të tilla do të vdisni në burg. Ne mundet të gjejmë edhe një modul tjetër që këto krime të rënda t’ia çojmë një prokurorie të posaçme. Mund ta gjejmë një mekanizëm që kush vret fëmijë, gra, duhet të shkojë në dënim të përjetshëm. Jam i bindur që shumë shpejt, duke funksionuar kleri, shoqëria civile, të gjitha këto, kam përshtypjen se Shqipëria do të ndahet nga këto krime të rënda. Një kategori janë të përgjegjshëm para ligjit, por nuk janë shumë mirë nga trutë e kokës. Një pjesë tjetër janë të papërgjegjshëm, e të tjerë janë pedofilë.
Këto duhet identifikuar dhe parandalimi i tyre është nëpërmjet izolimit. Një punë e mirë e koordinuar do i nxjerrë në dritë ato. Ku do çojmë një njeri që është pedofil? Ai është i prirur të bëj pedofili, por nuk e ka kryer krimin. Ne këtë duhet ta izolojmë dhe rehabilitojmë. Nëse ne ngrihemi të gjithë, e do të ngrihemi… Ne këtu do të ndërtojmë punë agjenturore, derisa këtyre personave t’i gjejmë një provë e më pas e penalizojmë. Kështu duhet operuar. Vigjilenca dhe puna e të gjithëve është një masë shumë e fortë parandalimi shoqëruar me ndryshime në kodin penal, se kush kryen krime të këtij lloji do të dënohet me burgim të përjetshëm. Shqipëria për të fuqizuar institucionet me psikologë, sociologë, mësues, për të rehabilituar këto persona nuk do të kushtojnë shumë. Kleri duhet të bashkëpunojë”, tha Hajdari.