E premte, 28 Janar, 2022
9.5 C
Tirana

Ish-gjyqtari Daci: “Falsifikimi intelektual” nuk ekziston!

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Luan Daci, në një deklaratë për mediat ka folur mbi dënimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme për ta dënuar me 6 muaj burgim. Ai u dënua me 6 muaj burg konvertuar në një vit shërbim prove, dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike.

Hetimet e SPAK bindën Gjykatën e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit dhe Apelin e GJKKO të dënojë Luan Dacin me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve” për të fituar postin e anëtarit të KPA. Luan Daci u dënua fillimisht në seancën e zhvilluar më 1 dhjetor me 6 muaj burg, dënim i cili i konvertohet në 12 muaj shërbim prove. SPAK kishte kërkuar 1 vit burg.

Sipas SPAK dhe GJKKO, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA, ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të Ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Në deklaratën për media, ai i mëshoi faktit se nuk ka falsifikuar asnjë dokument zyrtar apo formular zyrtar të paraqitur përpara Avokatit të Popullit dhe Kuvendit të Shqipërisë. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai sqaron më tej se i gjithë dokumentacioni i paraqitur dhe dorëzuar prej tij ka qenë dhe është i rregullt, zyrtar dhe i vlefshëm e i pakontestuar nga këto organe, si dhe nga 6 komisione të procedurës.

Po kështu pohon se nuk ka falsifikuar asnjë formular dhe asnjë dokument të cilitdo lloji, të kërkuar nga organi i procedurës, siç vërtetohet me dokument të tij të dyanshëm, i titulluar “Vërtetim” me nr. prot. 8, datë 06.02.2017, lëshuar tri ditë pas aplikimit tim për pozicionet në organet e Vettingut. Ai sqaron ndër të tjera se është dënuar për një “vepër penale” të quajtur nga GJKKO “Falsifikim Intelektual”, ku sipas tij, nuk ekziston në legjislacionin penal shqiptar.

Deklarata

Në radhë të parë, ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë shtypi, të thirrur nga ana ime, si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, anëtar i institucionit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë – gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, dhomë paralele e Gjykatës Kushtetuese, që funksionon dhe është e organizuar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Aneksit të saj).

  1. Qëllimi dhe objekti i kësaj konference shtypi është:

Sqarimi i situatës juridiko-kushtetuese të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Luan Daci, në lidhje me dy fakte evidente:
a. Dënimi im penal pa ligj – pa fakt penal, pa vepër të parashikuar e përcaktuar në legjislacionin penal shqiptar si vepër penale. Nuk kam falsifikuar asnjë dokument zyrtar apo formular zyrtar të paraqitur përpara Avokatit të Popullit dhe Kuvendit të Shqipërisë. I gjithë dokumentacioni i paraqitur dhe dorëzuar prej meje ka qenë dhe është i rregullt, zyrtar dhe i vlefshëm e i pakontestuar nga këto organe, si dhe nga 6 komisione të procedurës.

  1. Nuk kam falsifikuar asnjë formular dhe asnjë dokument të cilitdo lloji, të kërkuar nga organi i procedurës, siç vërtetohet me dokument të tij të dyanshëm, i titulluar “Vërtetim” me nr. prot. 8, datë 06.02.2017, lëshuar tri ditë pas aplikimit tim për pozicionet në organet e vettingut. Gjithçka që kërkonte ky dokument i dyanshëm, i firmosur prej meje dhe prej Avokatit të Popullit, pra dokumente apo të dhëna, është paraqitur në mënyrë korrekte nga ana ime, pa korrigjuar, pa fshirë, pa gërvishtur asnjë të dhënë mbi to. Pra, nuk kam falsifikuar asnjë dokument, asnjë formularm, pra jam absolutisht i pafajshëm. Jam dënuar pa fakt penal e në shkelje të Nenit 388/1, pikat a, b, c, d të Kodit të Procedurës Penale.

Jam dënuar për një “vepër penale” të quajtur nga GJKKO “Falsifikim Intelektual”, që NUK EKZISTON FARE NË LEGJISLACIONIN PENAL SHQIPTAR!

Pikërisht, kjo shpikje juridike, kjo normë e krijuar, si nga Prokuroria e SPAK, ashtu edhe nga Gjykatat Penale të Posaçme, është shkaku i parë, fenomeni i parë juridik, për të cilin unë kam thirrur këtë konferencë dhe dëshiroj të informoj opinionin qytetar, mediat dhe opinionin ligjbërës shqiptar, se në vendimin penal ndaj meje, prokurorët dhe disa gjyqtarë të kësaj çështjeje (gjyqtarja e GJKKO-së së Shkallës së Parë, dy gjyqtare të GJKKO-së së Apelit dhe dy gjyqtarë të Gjykatës së lartë, në shkelje të hapur të Ligjit Themelor të shtetit shqiptar, që është Kushtetuta, sipas Nenit 145/1 të saj, jo vetëm nuk i janë nënshtruar ligjit dhe Kushtetutës, siç urdhëron për ta kjo normë kushtetuese, por kanë shpikur normë ligjore, duke marrë kështu atributet e organit më të lartë të pushtetit shtetëror, që është Kuvendi i Shqipërisë (pushteti legjislativ)! Pra, me arbitraritet, shkelje e mosrespektim të Nenit nr. 1, 2, 3 të Kodit Penal, organet e gjyqësorit, për të më dënuar mua, kanë krijuar ligj të paparashikuar në legjislacionin penal shqiptar, duke shpikur normën e të ashtuquajturit “falsifikim intelektual”.

Kjo e bën këtë proces haptazi të kundërligjshëm, nëpërmjet Nenit 388/1, pikat a, b, c, d të Kodit të Procedurës Penale, haptazi në shkelje të Nenit 7 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), sipas të cilit nuk ka dënim pa ligj, si dhe në shkelje të Nenit 29/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pra në rastin tim, kanë krijuar një precedent për një vepër të paparashikuar si vepër penale. Konkretisht, “falsifikim intelektual” kallëzuesit, prokuroria dhe gjyqtarët e përfshirë në këtë proces kanë konsideruar shprehjen time në Kërkesën – Aplikim për pozicionet në tre instituiconet e rivlerësimit, e cila bazohet në Nenin 6/1/dh, me këtë përmbajtje:

  1. Ndaj meje nuk eshte marre mase disiplinore e largimit nga puna ose ndonje mase tjeter disiplinore, e cila eshte ende ne fuqi, sipas legjislacionit ne momentin e aplikimit.

Në mënyrë të turpshme, akuza ka bërë lojë fjalësh, duke e prerë në mes këtë fjali, e duke lënë prej saj vetëm:

  1. Ndaj meje nuk eshte marre mase disiplinore e largimit nga puna ose ndonje mase tjeter disiplinore.
    Këtë e ka cilësuar si “falsifikim intelektual”! Përveçse absurd dhe krejtësisht joligjor, edhe në kuptimin gjuhësor, ky term është i gabuar, pasi në të vërtetë, falsifikim intelektual është pjesë e plagjiaturës dhe nuk lidhet aspak me falsifikim dokumentesh.

Mbi të gjitha, kërkesa është shprehje e lirë e interesit dhe e vullnetit të kërkuesit, përpilohet prej tij në mënyrë diskrecionale (sipas dëshirës së tij) dhe shpreh vetëm interesin, pozicionin (objektin) dhe afatin kohor.

Sqaroj gjithashtu se masa disiplinore e pretenduar është marrë në mungesë time plot 20 vjet përpara aplikimit tim për në pozicionet e vettingut (1997-2017) dhe se nuk jam njoftuar asnjëherë për të përpara fillimit të procedimit penal (2020). Gjithashtu, theksoj se nuk ekziston asnjë masë disiplinore me kohëzgjatje 20-vjeçare! Gjithashtu, prokuroria, e iniciuar zyrtarisht nga të shkarkuarit prej meje dhe jo kryesisht, bëri edhe një sërë akuzash të tjera, të cilat ranë gjatë procesit.

  1. I njëjti fenomen i dënimit pa ligj, përsëri në shkelje të Nenit 100/2 të Ligjit nr. 96/2016, “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” është shkelur haptazi edhe nga Komisioni Disiplinor i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kur ai mori Vendimin e tij nr. 1 (JD) në datën 09.12.2021, me të cilin u vendos shkarkimi im nga detyra, sikurse edhe ai penal, pa ekzistuar shkaku i indisiplinimit tim, që përcaktohet e parashikohet qartë në Nenin 16 të Ligjit të Posaçëm të Vettingut, me nr. 84/2016, i cili garanton funksionimin e organit konkret të KPA-së.
    Komisioni disiplinor i KPA-së, në shkelje të qartë të Nenit 6 të Kushtetutës së Shqipërisë, e devijoi referencën e tij ligjore, duke anashkaluar urdhërimet e këtij Neni dhe të Nenit 4/1 po të Kushtetutës dhe kaloi te Neni 128//2/b i Kushtetutës, duke injoruar Ligjin e Posaçëm 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Repubikën e Shqipërisë” (Ligji i Vettingut) dhe urdhërimet e posaçme të Kushtetutës (Aneks) në Nenin C/16 të saj:

Neni C
“Anëtari i Komisionit, gjyqtari i Kolegjit të Apelimit dhe Komisioneri Publik mban përgjegjësi disiplinore. Rastet e shkeljes disiplinore shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit, sipas ligjit.”.

“Sipas Ligjit” do të thotë: sipas ligjit 84/2016, pasi në Nenin 16 të Ligjit 84/2016, përcaktohet qartë se:
Neni 16
Përgjegjësia disiplinore e anëtarit të institucioneve të rivlerësimit
Anëtari i institucionit të rivlerësimit mban përgjegjësi disiplinore, veçanërisht për shkak të:
…. listohen 16 raste – pika dhe në pikën 17 theksohet:
17. Raste të tjera të parashikuara nga ky ligj.
Pra, ligjvënësi e ka përcaktuar fare qartë që shkeljet e anëtarëve të KPA-së rregullohen nga Ligji i tyre i posaçëm nr. 84/2016, në ndryshim nga magjistratët e tjerë të Republikës së Shqipërisë dhe në ndryshim madje edhe nga anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët rregullohen nga Neni 128 i Kushtetutës dhe nga Ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ligji për KPA-në është ligj unik, i posaçëm, i kornizuar qartë dhe nuk lë vend për trajtime ekstraligjore.

Kalimi i qëllimshëm keqdashës i Komisionit Disiplinor te Neni 128/2/b i Kushtetutës në rastin tim e bën vendimin arbitrar, të pabazuar në ligjin e posaçëm 84/2016.

Mosrespektimi i Ligjit nr. 84/2016, që parashikon dy institucionet juridike:
a. Mbajtjen e përgjegjësisë disiplinore për të 17 rastet e parashikuara në këtë ligj
b. Fillimin e procedimit disiplinor vetëm në kushtet e kryerjes së një shkeljeje disiplinore të përcaktuar në po këtë ligj (84/2016), sipas Nenit 16 të tij, me urdhërim të ligjvënësit, për raste të parashikuara nga ky ligj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, si pjesë e organeve të rivlerësimit, rregullohet nga Ligji i Posaçëm i Vettingut (84/2016) dhe jo nga Ligji i përgjithshëm “Për Magjistratët”, as nga Neni 128 i Kushtetutës, i cili është për anëtarët e dhomës tjetër të Gjykatës Kushtetuese.
Pikërisht për të ndarë kompetencat, statusin dhe detyrimet e ndëshkimet ndaj anëtarëve të KPA-së, u bënë ndryshimet e vitit 2016 (Aneksi i Kushtetutës dhe Ligji nr. 84/2016, të votuara si asnjëherë unanimisht me 140/140). Kjo me qëllim për të shmangur presionet mbi anëtarët e institucioneve të rivlerësimit kalimtar, në mënyrë që ne të jepnim gjykime objektive dhe të kishim mbrojtje ligjore të posaçme.

Është fakt që unë nuk kam shkelur asnjë nga dispozitat e Ligjit të Posaçëm nr. 84/2016 dhe as të Kushtetutës-Aneks, të modifikuar enkas në vitin 2016.
Kjo dispozitë shumë e qartë e bën këtë proces haptazi të kundërligjshëm, në shkelje të Nenit 16/17 dhe Nenit 17 të Ligjit 84/2016, në ndërthurje me Nenin 4/1 dhe Nenin 6 të Kushtetutës dhe po kështu bëjnë të kundërligjshëm shkarkimin tim nga detyra e anëtarit të KPA-së, me vendimin e sipërcituar, vendim arbitrar, i cili ka krijuar normë jashtë kompetencave të gjykatës (ultra vires), duke përthithur kompetencat e pushtetit tjetër, atij ligjvënës, veprim ky antikushtetutes.

Pasoja juridike të këtij vendimi të Komisionit Disiplinor të KPA-së për shkarkimin tim, haptas të kundërligjshëm, janë rrjedhojë e një procesi disiplinor të paligjshëm, në shkelje të Nenit 17/1 të Ligjit të Posaçëm nr. 84/2016, si dhe në mosrespektim të Nenit 100/b të Ligjit nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

E informoj opinionin mediatik dhe nëpërmjet tij, të gjithë opinion shqiptar se Komisioni Disiplinor që vendosi shkarkimin tim, ka kryer me ndërgjegje të plotë juridike (bindje pa ligj, pa fakt, pa shkak indisiplinor) një tërësi shkeljesh:
a. Shkelje të Ligjit Themelor të Shtetit, Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, plus Kushtetutës-Aneks.
b. Shkelje të Ligjit të posaçëm nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
c. Shkelje të Ligjit nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i cili nuk u përket anëtarëve të KPA-së.
Shkelja e dispozitave ligjore të sipërcituara është antikushtetuese, në kundërshtim të hapur me parimin e ligjshmërisë dhe e bën këtë vendim absolutisht të kundërligjshëm, të paligjshëm, të pazbatueshëm, me efekt nul.

Dëshiroj t’i kujtoj opinionit dhe medias se veprimtaria e gjyqësorit është vetëm zbatimi i ligjit dhe jo krijimi i normës ligjore nga gjyqësori. Shqipëria është Republikë Parlamentare, që do të thotë se ligjet i harton vetëm Kuvendi i Shqipërisë dhe gjyqësori vetëm i zbaton ato. Vendimet në tejkalim të këtyre kompetencave janë vendime haptas të kundërligjshme, të paligjshme, pra pa bazë ligjore dhe pa fakt juridik, që sjellin pasojë juridike të pazbatueshme. Trinomi “Fakt – Bazë ligjore – Pasojë ligjore” përcakton proceset e rregullta ligjore. Deformimi i njërit prej këtyre tre elementeve gjatë procesit të vendimmarrjes e bën vendimin të paligjshëm, të paekzekutueshëm, madje të verifikueshëm dhe të korrigjueshëm nga organi përkatës, që në rastin konkret është Kuvendi i Republikës.

Pra, shkeljet e kryera si në procedimin disiplinor, edhe në vendimmarrjen e Komisionit Disiplinor të KPA-së ndaj meje, janë evidente, kanë barrierë kushtetuese për moszbatim të një vendimi, për të cilat KEDNJ, në Nenin 13, autorizon organin më të lartë kombëtar të japë zgjidhje efikase të të gjitha shkeljeve të Komisionit Disiplinor të KPA-së, pavarësisht se këto shkelje i kanë bërë në përmbushje formale të funksionit të tyre zyrtar.
Në përmbushje të kësaj dispozite, e cila madje prevalon edhe ndaj legjislacionit vendas, Kuvendi duhet të bëjë korrigjimin e kësaj situate nëpërmjet ngritjes së një Komisioni Hetimor Parlamentar, që duhet të verifikojë të gjitha shkeljet ligjore në të dyja këto procese.
Me respekt për pjesëmarrjen tuaj
Luan Daci

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Fakte të panjohura mbi shkencëtarët më të famshëm të të gjitha kohërave

Ju ndoshta mund t’i njihni emrat e këtyre figurave historike të shkencës, si dhe zbulimet e tyre më të famshme. Por ndoshta mund të...

Pas acarit, rikthehen reshjet e shiut. Si do të jetë moti për këtë fundjavë

Reshjet e shiut pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit të ditës së shtunë, në pjesën më të madhe të...

Shp*rthimi në banesën e Dukës, 34-vjeçari i arrestuar me shenja dj*gie në dorë

34-vjeçari i arrestuar për vendosjen e tritolit në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, rezulton me shenja djegie në dorë....

Pa të dashurën me shokun e tij, detaje nga sherri me th*ka në Berat

Detaje të reja janë hedhur në dritë sa i takon sherrit me thika në Berat, ku dy persona përfunduan me plagë të shumta në...

Faza e fundit e konfliktit dhe fati i “Foltores”

Nga: Ergys Mërtiri Pas muajsh tensione që degjeneruan deri në konfrontim fizik, përplasja Basha-Berisha po fillon të zbehet, ndërsa revolucioni i organizuar nga foltorja shkon...