INSTAT ka publikuar sot raportin “Indeksi i Çmimeve të Konsumit”, i cili në muajin Qershor të këtij viti, arriti 102.4 kundrejt muajit Dhjetor 2015.
Në muajin Qershor 2017 ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit është 2,2 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1,2 %.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të Indeksit të Çmimeve të Konsumit:
Rritja vjetore e çmimeve në Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,87 pikë përqindje
Çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,16 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “pije alkoolike dhe duhan” dhe “transporti” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupit “shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “komunikimi” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,10 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje.
Për sa u përket ndryshimeve vjetore të grupeve kryesore, krahasuar me muajin qershor të 2016-ës, rritja më e madhe e çmimeve vihet re në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,1 %, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 0,8 %, “transporti” dhe “shërbimi arsimor” me 0,7 %, “argëtim dhe kulturë” me 0,6 %, etj.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 16,8 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet“ me 12,1 %, “qumësht, djath e vezë” me 4,3 %, “peshk” me 3,7 %, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 2,7 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 2,9 %.
Ndryshimi mujor i indeksit është – 0,3 %.
Krahasuar me Maj 2017 ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “argëtim dhe kulturë” me 0,7 % secili, pasuar nga grupet “veshje dhe këpucë” me 0,5 %, “transporti” me 0,4 %, etj. Rritje mujore e çmimeve vërehet në grupet “pije alkoolike dhe duhan” dhe “mallra dhe shërbime të tjera” me 0,1 % secili.