Zlatan Ibrahimoviç ka bërë një debutim si vetëm ai mund ta bënte tek ekipi i ri, Los Angelos Galaxy në Ligën amerikane të Futbollit (MLS). Bomberi suedez u ka dhuruar një fitore në derby tifozëve të tij me dy gola të çmendur në 20’ minuta që u aktivizua, duke ngritur në këmbë edhe tifozët kundërshtarë.
LA Galaxy mori një fitore të jashtëzakonshme, edhe për meritë të përforcimit më të ri, që tregoi sidomos me njërin prej golave se nuk ka zbarkuar në SHBA vetëm për turizëm dhe për milionat. Zlatan Ibrahimoviç u fut në fushë në minutën e 71-të, në vendin e Lletget, ndërsa pak çaste më vonë Pontius firmosi golin që çoi ndeshjen në 2-3.
Por suedezi nuk mund të kënaqej me kaq. Ish-sulmuesi i Manchester United e shënjoi debutimin me një të djathtë fluturuese nga 35 metra, që barazoi rezultatin. Pikërisht kur mendohej se barazimi do të ishte edhe rezultati përfundimtar i derbit në qytetin e “engjëjve”, Ibrahimoviç shënoi me kokë brenda zonës, një gol që vlejti suksesin e paparashikuar dhe kompletoi përmbysjen nga 0-3 në 4-3.