Detaje të reja janë mësuar në lidhje me atentatin në Shkodër. Atentatorët kanë vëzhguar lëvizjet e 19-vjeçarit Erjon Xhenja, i cili u qëllua me breshëri plumbash. Para se të ndodhte atentati, 19-vjeçarin e kishte telefonuar i ati, duke i kërkuar që ta shoqëronte deri në Mal të Zi, por Xhenja e kishte refuzuar duke i thënë se ishte në lokal dhe po pinte kafe.
Shtatë persona të shoqëruar
Shtatë persona janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit ose personave që kanë dijeni për vrasjen e 19-vjeçarit Erjon Xhenja në Shkodër. Deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar si autor i kësaj ngjarje.
Në vendngjarje policia ka gjetur 7 gëzhoja pistolete ndërsa 5 prej plumbave kanë përshkuar trupin e 19-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Në momentin e atentatit, viktima ishte i vetëm në tavolinë ku edhe po konsumonte një kafe.
Pista kryesore, përplasja mes bandave
Përplasja mes bandave është pista kryesore ku janë përqendruar hetimet për vrasjen e 19-vjeçarit. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa janë sekuestruar kamerat e zonës ku ndodhi atentati, me qëllim vëzhgimin e tyre nëse mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Policia dhe grupi hetimor kanë ngritur disa pista hetimi ku nder kryesoret janë konfliktet mes grupeve të ndryshme kriminale, dhe dyshimet që 19-vjeçari ka bërë pjesë në njërin nga grupet e njohura si grupet e lagjes Kiras.