Kërcënimi me mesazhe dhe përndjekja disa ditore nga një 17-vjeçar është bërë shkak i vetëhelmimit me pesticide të një 16-vjeçarje në qytetin e Beratit dy ditë më parë.
Në gjendje të rënduar psikologjike e mitura, Adela Çaci merr aktin e vetëflijimit. Kjo gjendje e rëndë e saj nuk ishte vënë re nga familjarët, por as nga shokët e shoqet e klasës.
E mitura u dërgua nga familjarët në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Beratit. Duke marrë shkas gjendjen e saj të rënduar, e reja u dërgua për ndihmë më të specializuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme.
Adoleshentja ishte banuese në fshatin Duhanas, ndërsa shkollën e bënte në gjimnazin profesional në qytetin e Beratit, ku ishte nxënëse në vitin e parë. Në të njëjtin gjimnaz është nxënës edhe përndjekësi i saj, D.K, i cili sipas policisë, tashmë është arrestuar.
Shqiptarja.com mëson se vajza nuk kishte bërë denoncim në polici. Blutë e Beratit ranë në gjurmët e 17-vjeçarit përndjekës, nga mesazhet e ruajtura në telefonin e vajzës. Siç Shqiptarja.com mëson me burime nga policia e Beratit, në telefonin e vajzës kishte mesazhe dhe thirrje të vazhdueshme nga 17-vjeçari i cili e kërcënonte se do t’i publikonte një video kompromentuese që ai dispononte. Prindërit e vajzës kishin disi dijeni në lidhje me këto kërcënime, pasi një ditë para se të pinte lëndë helmuese, vajza u kishte treguar se ndihej e shqetësuar nga shoku i gjimnazit.
Nga policia, është bërë i mundur arrestimi i 17-vjeçarit menjëherë pas analizimit të celularit.
Në një prononcim për Report Tv, drejtori i shkollës Ferik Koçi, shprehet se Adela ishte një nxënëse shembullore në mësime dhe e urtë. Ndërsa shton se personalisht ai, dhe askush nga shkolla, nuk kishin dijeni për kërcënimet që nxënësi i tyre i bënte 17-vjeçares.
Këtë të martë në mesditë mes dhimbjesh e lotësh, Adela është përcjellë për në banesën e fundit, duke u lënë një brengë të madhe në zemër familjarëve , dy prindërve Haxhi e Entuela si dhe dy motrave Luna e Paula.