Emisioni Njerëz

“Del në lagje dhe kërkon një kore bukë”, drama e familjes Bunguri: Fëmijëve u vjen zor nga shokët

               Publikuar në : 20:31 - 07/05/19 S.N

Familja Bunguri jeton në Shënavlash, Durrës në një dhomë të vogël, në kushte shumë të vështira ekonomike. Kejsi dhe Elios janë vetëm nga 7 dhe 5 vjeç , por veç varfërisë ekstreme në të cilën jetojnë, i duhet të përballen edhe me përbuzjet e moshatarëve. Të dy janë të sëmurë, por të pamundur për t’u kuruar, shëndeti i tyre çdo ditë e me tepër përkeqësohet.

“Unë nuk kam rroba të mira, vetëm të grisura. Me këto rroba shkoj dhe në shkollë. Të tjerët flasin me zë të ulët për mua, ata të mëdhenjtë. Thonë ai i ka rrobat e grisura dhe e ka emrin rrobaxhiu i grisur.  Ndjehem shumë keq. Luaj me vëllanë. Një libër kemi aty, kur e mbarojmë e ngjyrosim përsëri nga lartë. E vetmja lodër që unë dhe vëllai luajmë, është vetëm ai motori i prishur. Do të doja të kisha një top futbolli.

“Mama ke bërë bukë?” Jo thotë mami se do sjellë babi. Dhe unë i them që o ma, babi nuk ka sjellë gjë. Edhe na fut në gjumë, pa ngrënë bukë. Ndonjëherë dalim dhe shohim ndonjë njeri, i kërkojmë nëse ka lekë të na blejë një çapë bukë”

Majlinda është 28 vjeçe dhe me dhimbjen e një nëne e cila nuk ka mundësi t’i japë një të tashme të sigurt fëmijëve të vete, rrëfen mes lotëve jetën e vështirë.

“Bukë me vaj, me kripë hanë. Ose ndonjëherë nuk kanë fare, qajnë. Në punë unë nuk mund të shkoj, prej fëmijëve sepse ankohen. Ku do t’i lë, nuk ka kush të më ndihmojë e të mi mbajë. Fëmijët i kam sëmurë, me ilaçe. Njëri është me zemër, tjetri vuan nga syri dhe këmbët. Shumë me vështirësi ia marr ilaçet. Kur kam ia marr, kur nuk kam ia lë. Njerëzit nuk më ndihmojnë, jam shumë e vetme.

Nuk e kisha imagjinuar që do të vinte kjo ditë kështu. Mendoj për këto fëmijë se them si më ka ardhur kjo jetë mua kështu që mos t’i vijë edhe fëmijëve të mi. Nuk e di më, jam bërë si e humbur. As gjumi natën nuk më zë sepse kam hall mos bie fëmijë prej krevatit. Ke frikë të flesh.

Jemi pa shtëpi, nuk kam banjë të lahem, nuk kam kushte fare. Nuk kam ujë. Edhe që laj rrobat më jep ujë komshia. Nga ftohti fëmijët ndonjëherë i laj brenda në dhomë, sepse nuk kam ku t’i laj. Një herë në javë i laj fëmijët, sepse nuk mund t’i laj më shumë pasi ftohen.

Kemi jetuar tek shtëpia e zotërisë dhe ai na tha që do të rrinim me qira. Pasi jetuam gjashtë muaj, tha ju nuk keni mundësi të lani qiranë dhe do t’iu nxjerr të rrini tek kjo dhoma. Edhe këtu rrini sa të rrini e më pas do t’iu nxjerr edhe prej këtu. Nuk e di, do të dalin fëmijët duke lypur. Nuk kam lekë për t’i blerë rroba. Të dy fëmijët qajnë sepse shkojnë në shkollë me të grisura , i vjen zor nga shokët.”

Ndërkohë, bashkëshorti, Xhezairi është dëmtuar në punë dhe prej disa muajsh nuk është në gjendje të punojë. Duke mos pasur mundësi t’i sigurojë as bukën e gojës fëmijëve.

“Unë e kam krahun e thyer, nuk më merr askush në punë. E kam thyer kur isha në punë. Do lutem për punë, por nëse nuk gjej në ndonjë vend tjetër, do filloj të mbledh kanaçe, bidonë. Çfarë të dali. Nuk duan t’ia dinë, sepse këta duan bukë. Ai del në lagje dhe thotë më jep një kore bukë.”

Apeli drithërues është publikuar nga Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, i cili nëpërmjet tij i bën thirrje gjithë shqiptarëve të ndihmojnë familjen të dalë nga varfëria ekstreme. Pasi siç edhe Majlinda rrëfen, pronari i dhomës ku qëndrojnë, i ka thënë se shumë shpejt duhet të dalin. Duke i lënë kështu mes katër rrugëve./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT