Pas aktit heroik të 30-vjeçarit Ardimir Murataj, i cili shpëtoi nga mbytja në lumin Seman, dy vajzat nga nëna e tyre, shumë njerëz e përshëndetën veprimin e tij. Por, shumë të tjerë kërkuan që Murataj të nxirrej nga papunësia.
Në rrëfimin e tij se si shpëtoi dy vajzat e mitura nga kthetrat e nënës së sëmurë, midis të tjerave Murataj u shpreh se ishte i papunë dhe se mënyra e vetme e mbijetesës ishte peshkimi.
Po në të njëjtën gjendje ishin edhe prindërit e tij. Kjo shqetësoi shumë njerëz, kryesisht aktivistë të shoqërisë civile të cilët përmes rrjeteve sociale kërkuan që 30-vjeçarit t’i ofrohej një punë duke qenë se zotëronte edhe profesionin e elektricistit.
Në këtë mënyrë, duke parë reagimin e shumë njerëzve, bashkia e Fierit me anë të kryetarit të saj i dha certifikatën e mirënjohjen për gjithë aktin e tij guximtar duke shpëtuar nga mbytja në lumin Seman. Ndërsa kreu i kësaj bashkie, Armando Subashi, i ofroi punë në këtë qytet në profesionin e elektricistit.
“Pata një ndjesi të veçantë sot, kur u takova me të riun Ardimir Murataj, i cili u shpëtoi u jetën dy vajzave të mitura, teksa nëna e tyre tentoi t’ua merrte atë. Ndoshta janë të shumtë personat që do e bënin këtë gjest, por jo të gjithë. Kjo ishte arsyeja që kërkova ta takoja këtë të ri të guximshëm dhe human, ta falënderoja përzemërsisht dhe ti shprehja mirënjohjen time si qytetar dhe si Kryetar Bashkie, duke shpresuar që ky shembull të bëhet model frymëzimi për të gjithë”, u shpreh Subashi.