Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se vendimi për heqjen e masës së reciprocitetit ndaj mallrave serbe ka qenë veprim i vullnetit të mirë.
Në një interpelancë të thirrur në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hoti tha se ky vendim u mor për t’i dhënë shtysë procesit politik për betonimin e subjektivitetit të Kosovës.
“Ne si qeveri nuk besojmë se masat e përkohshme politike që krijojnë barriera ekonomike ndërmjet vendeve mund të zgjidhin problemin politik me Serbinë. Unë ju siguroj se barrierat ekonomike dhe tregtare do t’i adresojmë përmes mekanizmave rajonalë dhe evropianë”, tha ai.
Kryeministri Avdullah Hoti, hoqi të gjitha masat ndaj e vendosura ndaj Serbisë, më 6 qershor. Ky vendim sipas tij u mor për të hequr të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Sipas Hotit, Kosova aktualisht ka mundësinë, që përmes procesit të ri dialogues të konsolidojë shtetësinë e saj. Ai theksoi se përfshirja e zyrtarëve amerikanë në këtë proces synon prodhimin e një marrëveshjeje paqeje mes Kosovës e Serbisë.
“Sot jemi në rrethana të reja, ku për herë të parë ne jemi jo vetëm aktorë por edhe protagonistë, në kuadrin që po ndërtohet një marrëveshje, që në thelb ka njohjen reciproke në mes të të dyja vendeve”, shtoi ai.