Prezantohet tenderi për aeroportin e ri të Vlorës. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Bledi Klosi e cilësoi ndërtmin e aeroportit të Vlorës një lajm të mirë për turizmin, pasi sipas tij ky projekt do të promovojë Shqipërinë turistike. Ndërsa shtoi se punimet për ndërtimin e tij pritet të fillojnë më 31 maj të këtij viti.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bën me dije se afati që kanë kompanitë për tenderin ndërkombëtar është deri më 12 mars.
“Aeroporti i Vlorës, lajm i mirë për botën e turizmit. Ky projekt do të promovojë Shqipërinë turistike. Në maj fillojnë punimet për aeroportin e ri. Investimet në infrastrukturë janë më një rëndësi të madhe. Aeroporti, jo vetëm turistik, por edhe zhvillon ekonominë”, tha ministri Klosi.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj tha se ky projekt do të do të ketë ndikim në rritje në 10% për ekonominë e zonës, si dhe do të ndikojë në thithjen e investitorëve të huaj.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli tha gjatë fjalës së tij se ajo që është premtuar do të bëhet realitet, pasi ka një impakt të jashtëzakonshëm në ekonomi.
“Shumë pak njerëz do ta besonin dhe do ta shihnin si një projekt të realizueshëm. Sot jam këtu për të garantuar atë që premtuam pak kohë më parë dhe sot do të behët realitet. Lungomarja, një ndër projektet më të kritikuara është kthyer një ndër zonat më të vizituara në Vlorë. Na del një detyrë e madhe për akomodimin dhe përgatitjen e stafeve njerëzore. Të gjitha këto kanë një impakt të jashtëzakonshëm në ekonomi”, tha Leli.