Tre persona u ekzekutuan në mbikalimin e Fushë-Krujës, gjatë një atentati të mirëorganizuar një ditë më parë. 30 vjeçari Diklen Vata dhe 23-vjeçari Brilant Martinaj, kushërinj, si dhe shoku i tyre Arbër Hoxha, të tre nga Kurbini, po udhëtonin me një mjet Volkswagen Passat nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit, kur rreth orës 14:00 nga një makinë tjetër po Volkswagen u qëlluan me breshëri automatiku.
Viktimat me precedentë kriminalë
Viktimat ishin me precedentë kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit, pjesëtarë të grupit kriminal të Ervis Martinajt. Brilant Martinaj, 23 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, ishte me precedentë kriminal i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtja pa leje”. Diklen Vata, 30 vjeç, njihej si person me precedentë penalë, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinajt dhe ishte pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt. Arbër Hoxha, 34 vjeç, nga Fushë-Kuqe, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinajt dhe ishte pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt.
Mjeti i përdorur nga autorët është gjetur i djegur
Mjeti Volksagen Passat, i cili dyshohet se u përdor nga tre autorët u gjet i djegur në fshatin Larushk, shumë pranë Fushë-Krujës, ndërsa brenda tij u gjetën 1 armë automatike MP5 dhe 2 kallashnikovë. Targa e mjetit rezulton e vjedhur. Policia ngriti grupe kontrolli në të gjithë zonën, ndërsa për hetime në vendngjarje mbërritën drejtuesit më të lartë të policisë.
3 milionë lekë për identifikimin e autorëve
Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e vrasjes tre personave në Fushë-Krujë, tre milionë lekë të rinj. Cilido që ka informacion të vlefshëm, ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë.
“Në kuadër të veprimeve që strukturat hetimore të Policisë së Shtetit po kryejnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë me armë zjarri tre shtetas, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano gjatë takimit me krerët e DVP Durrës e Tiranë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale, për zbardhjen sa më parë të ngjarjes, grumbullimin e informacionit nga qytetarët apo dëshmitarët që mund të kenë parë ngjarjen apo kanë dijeni për autorët, ju informojmë se:
Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milionë lekë të rinj. Cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë. Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me strukturat policore në interes të rritjes së parametrave të rendit e sigurisë dhe të parandalimit të ngjarjeve kriminale që cënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve”, njofton policia.