Gjatë një konference të përbashkët për shtyp mes kryeministrit të Maqedonisë Veriore dhe kryeministres serbe, Ana Brnabiç, kjo e fundit ka bërë thirrje për pajtim me shqiptarët.
“Serbia mbështet pajtimin me shqiptarët, por nga ana tjetër, ajo nuk ka bashkëbisedues. Ne nuk po mundohemi të krijojmë kufij etnikisht të pastër, e kundërta. Aleksandar Vuçiç, kur ishte në krye të qeverisë, e ngriti çështjen e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një moment historik dhe një shans i hapur”, tha ajo.
Sipas Brnabiç, mos arritja e një marrëveshjeje mes dy palëve do të sjellë një çmim të lartë për të paguar. Nga ana tjetër edhe kryeministri maqedonas, Zaev, u shpreh se ka ardhur koha për të arritur një pajtim historik midis serbëve dhe shqiptarëve.
“Maqedonasit dhe grekët janë pajtuar, bullgarët dhe ne jemi pajtuar. Të tjerët duhet ta bëjnë këtë. Ne jemi evropianë dhe duhet ta dëshmojmë këtë”, deklaroi Zaev.
Më tej, ai shtoi se udhëheqësve duhet t’u jepet një shans për të gjetur një zgjidhje, pasi ajo do të jetë jo vetëm për të mirën e vendeve të tyre, por edhe të gjithë rajonit.