Lajmi për mbylljen e emisionit të Adi Krastës, “A-Show”, ka shkaktuar reagimin e gazetarëve dhe jo vetëm, të cilët me nota ironizuese shprehin irritimin e tyre për vendimin e marrë ndaj kolegut të tyre.
Në media qarkulloi lajmi se Adi Krasta nuk do të jetë më pjesë e televizionit “News 24”. Ndërkohë, gazetari Enkel Demi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar me ironi se Krasta e ka merituar masën ndëshkimore.
“Denoncoj Adi Krastën si njeri që e ka merituar masën ndëshkimore që mori qeveria për të dhe e ftoj të bëjë autokritikë të fortë e të thellë dhe të pranojë të punojë kokulur vullnetar për Rilindjen, e cila po i sjell popullit gjithë këtë begati, siguri dhe mirëqenie”, shkruan Demi mes të tjerash.
Ndërkohë, lidhur me këtë lajm, ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Sipas tij, pas mbylljes së emisionit të Adi Krastës dhe Ylli Rakipit fshihet kryeministri Rama dhe Erion Veliaj.
Reagimi i Enkel Demit:
Meqë me shumë modesti edhe unë jam një nga njerëzit që ka dhënë një farë ndihme që Adi Krasta të idhnojë qeverinë, dal vullnetar të tërheq mbrapsht gjithçka kemi shpifur në atë studio.
Kjo ka ardhur, se nuk i njihja të mirat e zgjedhjeve të 30 qershorit, aftësinë e kryetarëve të pastër akullore të bashkive, rritjen ekonomike që na dha falë kulturës së barit në bujqësi, përfshirja në administratë dhe qeveri të çunave problematikë, PPP-të, përndritja e ideve gjeopolitike të Batonit dhe djalkës diplomat…
Për të gjitha këto e shumë të tjera ndjehem fajtor, kam gabuar rëndë dhe kërkoj ndjesë publike.
Denoncoj Adi Krastën si njeri që e ka merituar masën ndëshkimore që mori qeveria për të dhe e ftoj të bëjë autokritikë të fortë e të thellë dhe të pranojë të punojë kokëulur vullnetar për Rilindjen, e cila po i sjell popullit gjithë këtë begati, siguri dhe mirëqenie.
Postimi i Ylli Manjanit:
Largimi brutal i Krastës dhe Rakipit nga Neës 24, nuk dhunon lirirë e medias, por audiencën e televizionit ku punuan.
Audienca e emisioneve të dy gazetarëve do ti bëhet dhuratë një televizioni tjetër. Madje pas largimit brutal, audienca e gazetarëve do jetë më e madhe.
Ndërkohë, megjithë përpjekjet e udhëheqësit, goja sot nuk mbyllet. Le ti mbajë të gjitha pushtetet edhe televizionet, por autoritetin e mbylljes së gojës nuk e ka.
Ska për ta patur kurrë! As kryetari i bashkisë së Shqipërisë e as kryetari i bashkisë Tiranë.