Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ka deklaruar se nuk e sheh Greqinë si armike, pavarësisht problemit që këto dy shtete kanë për emrin e Maqedonisë.
“Nuk do të thosha armik. Nuk e ndjej Greqinë armik. Ne me Greqinë nuk kemi problem me çështje tjera, përveç çështjes lidhur me identitetin dhe emrin, dhe si pasojë e asaj, hyrja në NATO dhe BE.
Përndryshe, ekonomia, tregtia, investimet, turizmi janë në mënyrë solide të zhvilluara, madje mund të them edhe mjaft të mira. Kjo çështje është ajo që na mundon dhe që na krijon probleme.
Në fakt nëse shohim atë, Shqipëria deri më tani, për shkak të Greqisë nuk na ka njohur me emrin kushtetues. Deri më tani, Shqipëria na referohej si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë që për secilin maqedonas është një lloj fyerje, një lloj ofendimi.
Ndoshta atë e kanë bërë që mos të hidhërohet Greqia për Maqedoninë”, deklaroi Gruevski në një intervistë në Zonën e Debatit në Klan Kosova.
Më tej, Gruevski tregoi edhe arsyen se pse nuk ka ardhur në Prishtinë për vizita zyrtare, sa kishte qenë kryeministër.
“Saktë është që nuk kam ardhur në vizitë bilaterale, kam ardhur në Prishtinë në cilësi tjetër, gjegjësisht në një ngjarje tjetër zyrtare si kryeministër, por nuk ka qenë vizitë direkte bilaterale.
Shpesh kemi marrë pjesë në forume të ndryshme, në suaza të të cilave kemi realizuar takime, dhe ndoshta ajo ka kontribuuar që më rrallë të bëjmë takime bilaterale.
Shiheshim në Neë York, në Bruksel, ku shpesh mblidheshim të gjithë nga rajoni dhe kemi pasur pastaj ngjarjen kryesore për të cilën mblidheshim. Pastaj kemi pasur takime individuale”.
Mundohemi që të kemi relacione më mira për të gjithë. Nëse do të kishim marrë ftesë do të kishim ardhur”, tha Gruevski, duke thënë se në Tiranë kishte shkuar sa herë që ishte ftuar.