Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përshëndetur vendimin e Greqisë për tërheqjen e rezervës për Vulën Apostile ndaj Shqipërisë me efekt të menjëhershëm.
Tërheqja e rezervës për Vulën Apostile ka një impakt pozitiv praktik kryesisht për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi duke lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat e marrjes dhe përdorimit të dokumenteve të lëshuara nga institucionet shqiptare dhe greke, si dhe duke ulur ndjeshëm kostot e lëshimit të këtyre dokumenteve.
Kujtojmë se qeveria shqiptare në vijimësi të negociatave me Greqinë ka pranuar edhe diskutimet për varrezat e ushtarëve grekë.
Palët ranë dakord për rikonfigurimin e dy varrezave për të cilët janë marrë vesh më herët në vitin 2009, të Bularatit dhe Këlcyrës, të cilat do të kenë statusin e varrezës historike.
Vetëm gjatë vitit 2017, kostot e përballuara nga qytetarët shqiptarë për shkak të aplikimit të vulës apostile nga autoritetet greke kanë kapur vlerën e 6.7 milionë euro.
Ky vendim i qeverisë greke përbën një angazhim të përmbushur në kuadër të dialogut dypalësh Shqipëri-Greqi për çështjet e mbetura pezull prej një kohë të gjatë.
Përveç impaktit real në jetën e përditshme të qytetarëve, tërheqja e rezervës për Vulën Apostile, tashmë nga të gjithë vendet anëtarët e BE-së, krijon mundësi të tjera për ofrimin e shërbimeve konsullore moderne për qytetarët tanë që jetojnë në Greqi.