Rreth një muaj më parë, drejtuesja e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Saida Dollani u kërcënua me jetë, e për rrjedhojë është marrë në mbrojtje nga forcat speciale.
Mirëpo, në seancën e sotme gjyqësore për çështjen “Shullazi”, njëri nga të pandehurit, Gilmando Dani ka replikuar me trupën, duke i kërkuar gjyqtares Dollani të tregojë publikisht se nga kush është kërcënuar dhe të mos e përdorë si justifikim për të kaluar vetting-un.
Dollani nuk i ka dhënë shpjegim dhe i ka kërkuar të ulet, por pasi Dani nuk iu bind, ajo e përjashtoi nga seanca.
Ndërkohë, një tjetër anëtar i bandës “Shullazi”, Endrit Zela iu drejtua gjyqtares duke i thënë se ajo “do ta kalojë vettingun në kurrizin e tyre”.
Sakaq, 4 të pandehurit së bashku me avokatët mbrojtës braktisën sallën e gjyqit.
Ndërkohë, Valdete Hoxha e cila u caktua tre ditë më parë si gjyqtarja e tretë, ka kërkuar të mos jetë pjesë e trupit gjykues për këtë çështje, por kërkesa nuk i është pranuar.