Gazetari i njohur, Erl Murati, ka komentuar seancën gjyqësore që po mbahet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Murati e cilësoi këtë si një gjyq historik, pasi po përballet me drejtësinë një ish-ministër rendi, gjë që do të thotë se drejtësia mund të veprojë edhe ndaj figurave të rëndësishme politike.
Sipas tij, vendimi që do të merret do të jetë profesional, teksa shton se nëse Tahiri dënohet, kryeministri Rama duhet t’i kërkojë falje mediave, që i akuzoi për ‘shpifje’.
“Në njëfarë mënyrë pritja nuk është për disa orë, por disa vjeçare, pasi procedimi penal ka kohë që është regjistruar. Është një proces pa diskutim i rëndësishëm, edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë. Është një proces do ta quaja edhe historik, sepse për herë të parë një figurë e rëndësishme në PS, akuzohet për grup të strukturuar kriminal. Kjo edhe sepse Tahiri në PS ka qenë personazh me rëndësi dhe ish-ministri i Brendshëm.
Nuk është se po akuzohet ministri i Bujqësisë apo tjetër ministër, por ai që ka qenë ministër për të ruajtur rendin. Unë di se Rama ka ka thënë se media ka ngritur akuzat ndaj Tahirit. Kjo batutë e kryeministrit Rama merr vlerë sot, e të shohim nëse gjykata merr vendim pro Tahirit apo kundër tij. Nëse gjykata e dënon, Rama duhet të kërkojë falje”, u shpreh gazetari.
Më tej, Murati thekson se dëshiron që në këtë proces të ketë drejtësi, e jo Tahiri thjesht të bëhet kokë turku për integrimin.
“Do rezervohesha t’i japë notë Prokurorisë. Por unë besoj se Prokuroria ka bërë një punë serioze hetimore, nga ekspertë jo vetëm shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë. Nga çfarë është bërë publike, duket dënim pak i lartë. Shpërdorimi i detyrës mund të mbrohet nga Prokuroria. Në grupin kriminal të zbuluar dhe që drejtohet nga Tahiri, janë edhe zyrtarë të lartë policor. Nëse bëhet fjalë për akuzën kryesore, atë të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe grup të strukturuar kriminal ngjajnë paksa të sforcuara. Vendimi i gjykatës besoj do jetë i drejtë. Nuk besoj të ndryshojë situata pas vendimit. Dosja është e rëndë. Shpallja fajtor e Tahirit ndo i jepte pikë opozitës. Ndaj këtij gjyqi, ndërkombëtarët po e shikojnë dhe kanë folur, sepse po akuzohet ish-numri një i Ministrisë së Brendshme. S’dua të besoj se Tahiri do ishte kurban për integrimin”, tha Murati.