Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e grupit të “Rithemelimit” të Partisë Demokratike, për të regjistruar ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur në 11 Dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas statutit të Kuvendit të PD të 11 Dhjetorit të Komisionit të Rithemelimit, ndryshimet e statutit i hapin rrugë primareve brenda partisë, me qëllim fuqizimin e anëtarësisë, sanksionojnë legalizimin e fraksioneve, si dhe përcaktojnë largimin e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Për zgjedhjet lokale, kryetari duhet të votëbesohet. Po kështu, me regjistrimin e statutit të Kuvendit të 11 Dhjetorit, Partisë Demokratike i rikthehet logo e vjetër e partisë.
Pas marrjes së vendimit, për mediat foli juristi dhe ish-deputeti Ivi Kaso. Ai tha se sot gjykata mori vendimin e paralajmëruar, duke shtuar se “pala tjetër”, duke lënë të nënkuptuar mbështetësit e Bashës, nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë verdiktin.
Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, deklaroi se gjykata i ktheu vulën dhe selinë demokratëve, duke njohur shkarkimin e Lulzim Bashës dhe Kryesisë së PD-së.
“Gjykata vendosi t’u kthente demokratëve partinë e tyre, selinë, siglën dhe simbolet e marra peng. Sot gjykata u ktheu demokratëve partinë e tyre, duke njohur Kuvendin e 11 Dhjetorit.
Gjykata njohu shkarkimin e Lulzim Bashës dhe mosnjohjen e konstituimit të Kryesisë dhe Sekretariatit. U njoh Komisioni i Rithemelimit deri në Kuvendin e ardhshëm të 30 Prillit. Është certifikuar ajo që kemi thënë që firmat ishin aty. Është një vendimarrje e vonuar sepse duhet të ishte marrë para 1 muaji, por më mirë vonë se kurrë”, tha Kaso.