Kronikë

Gjykata e Hagës i dha të drejtë, Arben Frroku drejt lirimit. Mësohet lëvizja e radhës

               Publikuar në : 17:08 - 12/02/19 S.N

Gjykata e Apelit të të Drejtave të Njeriut në Hagë vendosi që të refuzojë sot ekstradimin e biznesmenit Arben Frroku në Shqipëri, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Lajmi është konfirmuar edhe nga avokati i Frrokut, Tonin Prendi, i cili ka deklaruar po ashtu se biznesmeni mund të fitojë lirinë, pasi nuk ka asnjë provë implikuese.

Gjykata përdori si arsyetim për refuzimin e ekstradimit përfshirjen e politikës në procesin ndaj tij dhe rrezikimi i jetës në Shqipëri, pasi ai është i dënuar përjetë për një krim që pretendon që nuk e ka kryer.

Fillimisht, biznesmeni mori pafajësi nga Gjykata e Shkallës së Parë për krimet e rënda. Pas këtij vendimi ai u largua nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi. Më tej prokuroria ankimoi vendimin dhe Apeli i Krimeve të Rënda e dënoi Arben Frrokut me burgim të përjetshëm duke e ribërë sërish njeriun më të kërkuar për vrasjen e kryepolicit.

Atëherë, Frroku u arratis jashtë vendit dhe më pas u arrestua në Holandë në vitin 2016, ku u kap me dokumente false greke.

Rekursi i tij në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese nuk u pranua duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë. Dënim ky të cilin Arben Frroku e ka ankimuar në Gjykatën e Strasburgut ku mbetet në pritje të shqyrtimit të këtij ankimi.

Deri në një vendim për themelin e çështjes nga Strasburgu Arben Frroku do të qëndrojë në Holandë ku pas pak javësh pritet të rikthehet në liri.

Edhe avokati i tij Prendi shprehet se pas vendimit biznesmeni nuk do të kthehet në Shqipëri, por mundet që Frroku të kërkojë azil politik në Holandë ku do të vazhdojë të jetojë i lirë.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT