Nga: Preç Zogaj
Kam një shoqe të vjetër që merret me kërkime në Universitetin Kolumbia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka emigruar atje prej njëzet e ca vitesh. Ka ardhur rrallë në Shqipëri, njëherë në katër – pesë vjet, por sa herë ka ardhur më ka treguar se pas përshtatjes me ndryshimin e orës së Shqipërisë me atë të Amerikës, gjë që u ndodh të gjithë udhëtarëve që kalojnë oqeanin, i është dashur të përballet me një çrregullim shumë më të madh: me atë të mospërputhjes së prezentes me realitetin politik shqiptar, të cilin si të jetë ndaluar koha, e ka gjetur pothuajse identik me atë që ka lënë herën e kaluar dhe herën tjetër para herës së kaluar dhe herën e herës tjetër para herës së herës së kaluar.
E njëjtë pak a shumë galeria e figurave politike ku përtëritjet treten rëndom në matricën e modelit fillestar. E njëjtë retorika, e cila, kur palët merren vesh për ndarjen e tortave të mira kandiset në një sheqerosje të pështirë që zhduk dallimet, ndërsa kur palët kapen në mosmarrëveshjen që duhet të prodhojnë marrëveshjen shkepet me shumë lehtësi nga penjtë e ligjërimit demokratik dhe derdhet furishëm si të kthehej në fis në stilemat jakobine të prerjes së kokave dhe marrjes së Bastijes. E njëjtë mungesa e lëmimit të gjuhës dhe etikës që do të lejonte bisedën, e njëjtë lehtësia e tërheqjes në llogoret dhe bunkerët e konfliktualitetit, të njëjtë tonet dhe grimasat që gjuha nuk ka fuqi t’i shprehë; po ato fytyrat e klonuara të padijes, dinakërisë dhe lëbyrjes, që duket qartë se kanë bërë e bëjnë lekë me këtë zanat, po ajo “shkolla” vendore e të menduarit, po ajo trazira që hidhet në arenë si një lloj bishe, së cilës ligji duhet t’i përkulet. Lista e gjërave që janë pak a shumë njëlloj siç kanë qenë para një çerekshekulli, para dy dekadash apo një dekadë, është shumë më e gjatë. Atë e shfaq orë e çast, në tërë larminë e saj, përditshmëria jonë.
Në fakt, kriza e këtyre muajve ka sjellë një të mirë, sepse po ekspozon deri në sakrificë për opozitën një problem jetik siç është shitblerja e votës dhe po premton një rirregullim, siç do të thoshte ish-presidenti i Francës, Zhak Shirak.
Disa herë gjatë këtyre viteve Shqipëria politike është përleshur për zgjedhjet e manipuluara. Opozitat kanë pasur e kanë gjithnjë të drejtën në anën e tyre. Kanë bindur e kanë fituar ato që kanë pasur më shumë fakte të dokumentuara dhe argumente të rrafshit profesional për t’i paraqitur në gjykata apo pranë faktorit ndërkombëtar. Për ilustrim, le të kujtojmë rivotimin në 130 qendra votimi në zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës në vitin 2003 në bazë të padisë së stafit të kandidatit të PD-së në atë kohë, Spartak Ngjela. Apo turin e ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në disa kryeqytete të Perëndimit për të denoncuar rastet e dokumentuara të manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2001, me ç’rast Perëndimi i diktoi Tiranës zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Fakti që kthehemi vazhdimisht në pikën e nisjes sa u takon zgjedhjeve flet shumë për motivet që i kanë frymëzuar drejtuesit tanë politikë në këto beteja. Të njëjtët kanë qenë edhe në rolin e manipulatorëve si pushtetarë, edhe në rolin e kontestatorëve si opozitarë. Sidoqoftë edhe ai që e ka shtrembëruar një kauzë të drejtë ka nder të luftojë për ta drejtuar.
“Gjithçka është njëlloj dhe asgjë s’është si më parë”, thotë vargu i një kënge të njohur. Dalja e opozitës në rrugë për zgjedhjet kësaj radhe ka një specifikë të dyfishtë. E para, sepse ajo ka djegur mandatet tetëmbëdhjetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe pesëmbëdhjetë muaj pas bërjes publike për herë të parë nga analisti Lorenc Vangjeli në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut të përgjimeve të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos, me pjesëtarë të grupit të Abdylajve, sot në arrest dhe nën akuzë për trafiqe dhe vepra të tjera penale. E dyta, sepse vendi është nën një ngjarje që ka ndarë kohët dhe kjo është reforma në drejtësi, e konceptuar në boshtin e saj nga partnerët tanë amerikanë në përgjigje të apeleve për ndihmë nga Shqipëria, por edhe të vlerësimit të momentit nga vetë aleati strategjik kur u pa se pandëshkueshmëria në sferat e larta, si gjeneratori i korrupsionit dhe keqbërjes endemike, po rrezikonte seriozisht tjetërsimin e demokracisë, deri dhe partnershipin perëndimor të vendit.
Historia që ka shoqëruar draftimin, miratimin dhe fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi, një histori kundërshtish, tensionesh, pengesash, vonesash, pendesash, kritikash për ndërhyrje politike, për standarde të dyfishta dhe abuzime në aplikimin e vetting-ut, është një gjë e njohur nga publiku i gjerë. Ka pasur dhe ka nga të gjitha. Pavarësisht kësaj, partnerët amerikanë dhe europianë nuk kanë lejuar që reforma si e tillë të ngecë si kau në brinjë. Për vetë arsyet që e kanë lindur, për vetë synimet që ka, për mënyrën e ndërtimit dhe për rolin substancial të partnerëve në të gjithë ecurinë e saj. Reforma në Drejtësi, po të shprehemi në mënyrë figurative, pritet të veprojë si një lloj algoritmi që përcakton vendosjen e re të lëvizjeve dhe numrave në sistem. Ajo nuk zëvendëson zgjedhjet dhe as anulon politikën, përkundrazi. Duke shtrirë veprimin e ligjit dhe drejtësisë në të gjithë piramidën e shtetit dhe shoqërisë, ajo vetvetiu ndihmon shëndoshjen e sistemit politik dhe krijon premisa të reja pozitive për zhvillimet demokratike në tërësi, përfshirë ato brenda partive politike.
Kjo reformë ka përcaktuar dhe duket qartë se do të vijojë të përcaktojë deri në fund qëndrimet e SHBA-së për zhvillimet, ngjarjet dhe krizën aktuale në Shqipëri. SHBA-ja është investuar dhe investohen që në luftën me kohën apo për kohën kur reforma në drejtësi të fitojë kundër nismave dhe aksioneve të tjera vendore, që kanë synuar apo kanë lënë përshtypjen e eklipsimit të saj.
SHBA-ja i ka premtuar popullit shqiptar këtë reformë dhe nuk po dëgjojnë sirena të tjera, siç ka ndodhur shpeshherë gjatë viteve të tranzicionit. Asgjë nuk është si më parë për krizën, për aktorët e krizës, për ushtarët e krizës, për shumë prej nesh që shkruajmë. Të gjithë dukemi të kapur në kundërkohë me skemat e djeshme të veprimit dhe analizës. Mjaft mendjendritur shohin papritur t’u jetë çoroditur shigjeta e busullës dhe t’u shkojë dëm çdo pohim, çdo thirrje, çdo parashikim. Edhe për ata po afron koha të kuptojnë se muzika ka ndryshuar.
Qëndrimi amerikan është ai që i jep formë apo paraprin qëndrimin europian përkundrejt djegies së mandateve nga opozita, mospjesëmarrjes së saj në zgjedhje, përdorimin e dhunës nga disa protestues, retorikës së dhunës në përgjithësi, mosveprimit të qeverisë brenda hapësirave ligjore për të nxitur zbardhjen me precedencë dhe me urgjencë, për arsye shtetërore, pse jo, të përgjimeve të dosjes 339 që lidhen me zgjedhjet. Të gjithë janë në borxh të reformës si përparësi e përparësive. Ndaj ndërkombëtarët nuk kanë ndërmend ta ndërpresin krizën me ndërmjetësime të tipit të vjetër që riciklojnë status quo-në.
Natyrisht Basha dhe Rama janë të nxitur e do të nxiten çdo ditë të dialogojnë. Ata mund të gjejnë zgjidhje që zhbllokojnë ngërçin në ruajtje të nderit në raport me çfarë kanë thënë. Por ata s’mund të shkojnë më larg dhe fakti që s’mund të shkojmë më larg i pengon edhe të shkojnë afër. Në këto kushte, zgjidhja do t’i mbetet sistemit si tërësi e ligjeve dhe institucioneve në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Kjo do të jetë koha ku sistemi do të vazhdojë të masë forcat me trazirën dhe trazira me sistemin. Kolona zanore që do të na shoqërojë në këtë përballje do të jetë tingulli i akrepave të orës./ Gazeta Liberale