Nga Yahya Bostan “Daily Sabah”
Po të mos kishte qenë për vendimin kurioz të Facebook, panorama e madhe do të kishte mbetur e paqartë në mendjen time. Siç mund ta dini, platformat e mediave sociale kanë ndërmarrë një sërë hapash për të luftuar dezinformimin në lidhje me pandeminë e koronavirusit.
Ndër të tjera, këto korporata nuk dëshironin që lëvizja kundër vaksinave të shpërndante mesazhet e saj në internet. Prandaj, Facebook dhe të tjerët censuruan të gjitha pretendimet që kishin të bënin me lidhjen e pretenduar midis vaksinave dhe infertilitetit, apo edhe pretendimit se vaksinat përmbajnë mikroçipa.
Debati mbi daljen e mundshme të virusit nga një laborator
Një çështje tjetër e censuruar ishte nëse koronavirusi u shfaq natyrshëm, apo është prodhuar në një laborator kinez. Kohët e fundit Facebook njoftoi se do të ndalonte censurimin e pretendimit se Covid-19 ishte prodhuar nga njeriu apo i prodhuar artificialisht.
Pra me fjalë të tjera, gjiganti i mediave sociale deklaroi se përdoruesit e tij ishin të lirë të diskutonin mbi origjinën e koronavirusit të ri. Nuk ka nevojë të theksohet se Facebook e mori atë vendim menjëherë pasi presidenti i SHBA-së Xho Bajden e udhëzoi komunitetin e inteligjencës amerikane që të hetojë origjinën e pandemisë aktuale.
Sërish Kina!
Politika e administratës Bajden ndaj Kinës, ndryshon nga ajo e paraardhësit të tij. Ish-presidenti amerikan Donald Trump ishte më agresiv dhe më i drejtpërdrejtë kur bëhej fjalë për marrëdhëniet me Pekinin. Këtë fakt e dëshmuan luftërat tregtare, sanksionet dhe arrestimet e biznesmenëve kinezë të kryera nga administrata e tij.
Por nën presidentin Trump, SHBA veproi në mënyrë të njëanshme, dhe përjetoi tensione me aleatët e saj të NATO-s dhe Bashkimin Evropian. Në të kundërt, përpara se të konkurrojë me Kinën, Xho Bajden po përpiqet të forcojë aleancat dhe miqësitë e kahershme të Amerikës. Në këtë kuptim, administrata aktuale po e inkurajon bllokun perëndimor që të përballet në mënyrë kolektive me Pekinin, në vend se ta bëjë atë vetëm.
Rezultati i samitit tëG7-ës
Ditët e fundit u zhvilluan dy takime të nivelit të lartë ndërkombëtar. Takimi i nivelit të lartë të G-7, në të cilin mori pjesë edhe presidenti Bajden, prodhoi rezultate të rëndësishme në lidhje me Kinën. Komunikata e tij e fundit i bëri thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të drejtojë një hetim transparente dhe shkencor për të identifikuar origjinën e koronavirusit. Kjo thirrje ishte e rëndësishme, pasi sugjeron që SHBA-ja dhe kombet e G-7 synojnë që ta vazhdojnë debatin dhe të ushtrojnë presion diplomatik ndaj Kinës.
Projekti BRI
Rezultati tjetër madhor i samitit tëG7-ës, lidhet me Nismën e Brezit dhe Rrugës (BRI) të Kinës, një plan gjigant investimesh për të promovuar integrimin ekonomik të Kinës me Evropën, Azinë dhe Afrikën. Ky projekt i jep mundësi Pekinit jo vetëm të ndërtojë marrëdhënie më të forta ekonomike me vendet përkatëse, por ai përfshin gjithashtu zhvillime të caktuara politike, diplomatike dhe shoqërore.
Prandaj G7 zbuloi një nismë të re për ta rivalizuar Kinën “Të ndërtojmë një botë më të mirë!” Ky projekt, inkurajon hapa konkretë për të investuar në infrastrukturën e kombeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Prandaj, vendet e zhvilluara do t’u ofrojnë vaksina vendete më të varfra dhe do të zbatojnë plane për të ringjallur ekonomitë e tyre. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen, deklaroi se ndryshe nga BRI nisma e G7-ës nuk do të jetë e kushtëzuar me ndonjë gjë tjetër.
Bajden shtoi se liderët e këtij grupimi kishin krijuar një alternativë demokratike ndaj skemës kineze. Përmes kësaj iniciative të re, blloku perëndimor i udhëhequr nga SHBA-ja, synon që të kundërpeshojë ndikimin në rritje të Kinës në të gjithë globin.
Hapi i NATO-s
Hapi i dytë i madh u hodh në samitin e NATO-s në Bruksel që u mbajt më14 qershor, kur Sekretari i Përgjithshëm i organizatës Jens Stoltenberg, paralajmëroi se Kina përfaqësonte një kërcënim të sigurisë, ndërsa NATO do të hartonte strategjinë e saj deri në vitin 2030.
Kështu,për herë të parë Kina u citua hapur si një kërcënim në një komunikatë të NATO-s. Për ta përmbledhur, vendime të rëndësishme u morën gjatë javës së kaluar përballë arkitekturës së rendit gjeopolitik post-Covid-19.
Në këtë kuptim, samitet G-7 dhe NATO përfaqësuan momente historike në historinë politike.
Qasja e propozuar e aleancës trans-Atlantike e pozicionon atë më shumë kundër Kinës sesa Rusisë. Megjithëse bisedat për një Luftë të Re të Ftohtë shmangen me kujdes, ne kemi të gjitha arsyet për të pritur përshkallëzimin e tensioneve në një periudhë afatmesme.
Përshtatur për Tirana Today