Terreni për përballjen e Izet Haxhisë me Sali Berishën në gjyq po bëhet gati. Që në maj të vitit 2018 ish-truproja e Berishës po lufton me drejtësinë shqiptare për të nxjerr në pah, sipas tij, të vërtetën e vrasjes së Azem Hajdarit. Për këtë ai akuzon Sali Berishën, ndërsa dosja e tij është në proces rigjykimi në Gjykatën Penale të Shkallës së Parë. Ditën e sotme Haxhia do të dalë sërish para treshes gjykuese, këtë herë për t’u njohur me vendimin për lehtësim mase apo jo.
Në një nga seancat e mëparshme avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri kërkoi që për ish-truprojën të lehtësohet masa e sigurisë dhe të lirohet nga burgu. Por deri tani trupa gjykuese nuk është shprehur, ndërsa pritet që vendimi për këtë kërkesë të jepet ditën e sotme në orën 12:00. Në seancën e javës së kaluar treshja gjykuese deklaroi se nuk mund të shprehet për këtë kërkesë pa patur dosjen e ekstradimit nga Turqia. Për ta vënë në dispozicion këtë dosje, u vunë në lëvizje Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Tiranës.
Sipas burimeve të gazetës, tashmë Gjykata e Shkallës së Parë e zotëron dosjen e ekstradimit dhe nuk ka më asnjë pengesë që trupa gjykuese të shprehet për lehtësim ose jo të masës së sigurisë për Izet Haxhinë. Pra, sot pritet të merret vendimi final për mënyrën sesi do të vijojë gjyqi: Me Haxhinë nën masën e sigurisë “Arrest me burg” apo me Haxhinë jashtë hekurave.
Dëshmitë dhe provat e reja në prag të SPAK
Me vendimin për lehtësim mase ose jo, sheshohet edhe çdo pengesë dhe hapet rruga për përballjen e Izet Haxhisë me Sali Berishën. Si të jetë në burg, si të përfitojë një masë më të lehtë sigurie, beteja gjyqësore që Haxhia ka nisur synon që të përballet me ish-kryeministrin dhe ta vërë atë para drejtësisë. Për këtë arsye ai ka përpiluar edhe një listë me 42 dëshmitarë që pritet të thirren për të dhënë llogari për vrasjen e Azem Hajdarit. I pari që pritet të thirret për të dëshmuar do të jetë Sali Berisha. Ky i fundit akuzohet nga ish-truproja e tij se është ai ideatori i atentatit ndaj Azem Hajdarit.
Madje Izet Haxhia pretendon se zotëron prova të reja që e provojnë këtë gjë. Por interesant është fakti se marrja e dëshmive dhe provat e reja do të dalin në pah në të njëjtën kohë kur pritet të fillojë nga puna edhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Seanca që do të mbahet sot për Izet Haxhinë pritet të jetë e fundit për këto dy muaj duke qenë se në gusht gjykatat marrin pushimet.
Kështu që seanca e radhës gjyqësore për të pritet të mbahet në shtator. Por të gjitha gjasat janë që në shtator të nisë nga funksioni edhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Rastësi ose jo, Haxhia do të përballet me Berishën dhe do të publikojë provat e reja në të njëjtën kohë kur do të ngrihet SPAK. Sipas informacioneve, Izet Haxhia zotëron bllokun e shënimeve sekrete të Perikli Tetës; bllokun e shënimeve të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Albert Dervishi; tabulatet e celularëve; kronikën e regjistruar e gazetarit Artan Hoxha; regjistrimin e bisedës me diktofon të Ylli Rakipit me të plagosurin rëndë, Zenel Neza, në prani të Berishës tek Spitali Ushtarak. Ai pretendon se këto prova mund ta fundosin Sali Berishën dhe ta vendosin atë pas hekurave për vrasjen e Azem Hajdarit.
Duhet theksuar fakti se nëse gjatë rigjykimit të Izet Haxhisë dalin në pah detaje të pathëna më parë, mundet që gjykata të vendosë riçeljen e plotë të hetimit, duke hetuar dhe nxjerrë kështu para drejtësisë fajtorët e vërtetë. Sipas Haxhisë, ky fajtor është Sali Berisha ndaj mund të themi se ai është në panik dhe i rrezikuar, aq më tepër kur këto lëvizje po kryhen në prag të SPAK. /Gazeta SOT