Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka inauguruar shkollën e fshatit Shkallë-Dajt, ku bëri të mundur rikonstruksionin dhe pajisjen me bazën e nevojshme materiale të shkollës, e cila ishte kthyer dhe në një nga shqetësimet kryesore të banorëve të fshatit.
Rikonstruksioni i bërë nga fondacioni në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës u ka mundësuar fëmijëve të këtij fshati që tashmë të mësojnë në një nga shkollat më të mira të Tiranës.
Drejtuesi i nismës “Fundjavë ndryshe”, Arbër Hajdari tha se ky ishte hapi i parë që fondacioni ka marrë në rehabilitimin e një shkolle, ndërsa premtoi se do vijojnë me projekte të tjera në të ardhmen:
“Është bërë restaurimi i plotë i shkollës, janë siguruar kushtet e nevojshme që fëmijët të bëjnë mësimin në gjendje normale. Ky është hapi i parë që kemi marrë në rehabilitimin e një shkolle dhe shpresojmë që në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës nismat e radhës të jenë për të gjithë shkollat që frekuentohen nga nxënësit në fshatrat e Tiranës”, u shpreh Hajdari.
I pranishëm në inaugurimin e shkollës ishte edhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili shprehu mirënjohje për kontributin që kanë dhënë vullnetarët në rikonstruksionin e kësaj shkolle, duke theksuar se vullnetarizmi është i nevojshëm:
“Dua të falenderoj të gjithë kolegët që kanë kontribuar, sidomos “Fundjavë ndryshe”, Arbrin, dhe miqtë e tjerë të fondacionit. Në Shqipëri njerëzit janë ndarë në dy kategori: ka një kategori që bën vetëm vërejtje, por ka një kategori tjetër që e sheh problemin dhe në vend që të bëjë vërejtje thotë, a mund të ndihmoj unë që kjo të zgjidhet. Kjo është kategoria që përfaqëson “Fundjava ndryshe” dhe gjithë vullnetarët fantastikë të qytetit të Tiranës”, tha Veliaj.