Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas publikimit të audio-përgjimit të publikuar sot nga Federata Shqiptare e Futbollit, në të cilën akuzohet për ndërhyrje në garën për kreun e FSHF. Veliaj akuzon FSHF-në se po angazhohet duke bërë përgjime për llogari të Armand Dukës, të cilin e etiketon si “beu i FSHF” dhe “mbreti lakuriq”. Kryebashkiaku citon se u FSHF-ja në vend të garantimit të barazisë së garës, ka zgjedhur rrugën e përgjimeve dhe të shantazhit për të ruajtur pozitat e Armand Dukës.
“U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!
Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes!
“Pavarësia” e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve”, shkruan Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbledhur dje rreth 40 përfaqësues të shoqatave të futbollit të kryeqytetit, por audioja e fjalës së socialistit në atë takim është e turpshme. Veliaj shprehet hapur e pa asnjë droje se nuk duhet që Armando Duka të zgjidhet sërish në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.