Nga: Genc Pollo
1- BERATIN SIÇ E PASHË
Të premten, në Berat, mora Në këtë qytet e qark kam shërbyer dy legjislatura si deputet. Pjesëmarrësit në sallë i njihja pothuajse të tërë. Po të mos ishte situata e veçantë, do të më dukej si mbledhja e radhës e Kuvendit të degës së partisë. Tematika e diskutuar kapte një gamë të gjerë: nga problemet energjetike te shkarkimi i kryetarit të partisë. Nuk munguan pasionantët panegjirikë, ndonjë me dolli rakie, për zotin Berisha; as kritikët e disa qëndrimeve të diplomacisë amerikane si tolerimi, në mos justifikimi, i narko-aktivitetit të Saimir Tahirit e i dopio standardeve në përcaktimet e personave “u ndalohet hyrja”. Dikush mallkoi mbështetjen për “qeverinë satanike Rama”. (ky formulim më befasoi paksa se nuk prisja ta dëgjoja në këtë tubim).
Kishte edhe të tjerë që shqetësoheshin se mos drejtuesit e ardhshëm të PD mbartnin te partia një konflikt të panevojshëm me SHBA. Por të gjithë pa përjashtim e shprehën qartë se status quo në PD ishte i papranueshëm dhe shihnin te thirrja e Kuvendit të jashtëzakonshëm një hap të parë për të rikthyer normalitetin e besimin në parti. Javën e shkuar takova në Berat edhe demokratë, të cilët për arsye të ndryshme nuk mundën të ishin të pranishëm. Disa syresh kishin edhe ndonjë rezervë ndaj Lëvizjes së Foltores (“pse nuk foli Doktori në 26 prill?”). Por asnjë prej tyre nuk besonte se me drejtuesit aktualë Partia Demokratike mund të arrinte ndonjë sukses e aq më pak ndonjë fitore.
Ndërkohë, mbi 70% e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të partisë (po ata që u mblodhën në Tiranë më 12 qershor për të zgjedhur Këshillin e Kryesinë si dhe për të dëgjuar fjalimin e fundit të deputetit Marku) GENC POLLO Foltorja e Beratit dhe Kuvendi i partisë: Përshtypje e refleksione kanë nënshkruar mocionin për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm. Më thanë se në Përmet e kanë firmosur 90% e delegatëve (pjesa tjetër ndodhet në emigracion). Sondazhet tregojnë se përkrahja e anëtarësisë është edhe më lartë.
2-BUKUROSHJA U ZGJUA
Në përrallën e vëllezërve Grimm “Bukuroshja e fjetur në pyll”, vajza e mallkuar me një gjumë shekullor çlirohet nga magjia nga puthja e princit që guxoi e luftoi për të arritur tek ajo. Partia Demokratike e pas 25 prillit ishte e prekur nga mallkimi i letargjisë dhe i inercisë. Debatet gjatë zgjedhjeve partiake në maj e më pas ndikuan por nuk mjaftuan për ta zgjuar. Shumë figura të saj asokohe injektonin ilaç gjumi me parulla si “përpara me këtë që kemi” (interesant janë disa syresh që qortojnë Doktorin që nuk foli në kohë, por u mungon sensi autokritik për çka bënë apo nuk bënë ata vetë).
Sot, debati e aktivizmi brenda partisë është në kulmin e vet dhe ky është një zhvillim pozitiv demokratik. Është përgjegjësi e madhe e delegatëve të Kuvendit që të orientojnë një vendimmarrje të pjekur e të matur, e cila e fut partinë në shinën e një opozite të fortë, serioze e të besueshme. Përgjegjësi konkretisht ka Lëvizja e Foltores, e cila, ndonëse ka përkrahje masive, ka dobësinë e të qenit e personalizuar dhe jo e institucionalizuar. Përgjegjësi kanë edhe organet drejtuese aktuale, të cilëve statuti u delegon disa kompetenca administrative. Prezantimi i këtyre kompetencave si tagër për të refuzuar mbledhjen e Kuvendit (të iniciuar nga delegatët; sipas statutit mjafton 1/4 e tyre) është një kulm i mendësisë antidemokratike!
Këshilli është organ i zgjedhur në 12 qershor nga delegatët e kuvendit; kryesia u zgjodh më pas nga këshilli. Nëse ato refuzojnë Kuvendin, atëherë duhet t’i përgjigjen pyetjes kë përfaqësojnë ato dhe në emër të kujt flasin ata. Po kështu, edhe teza groteske se nuk lejojmë “kongres anti-irlandez” (këtë e them për të prishur syrin e keq; jo për origjinën e Presidentit të atij shtetit). Zoti Berisha e ka bërë të qartë se problemin me përcaktimin “u ndalohet hyrja” do ta zgjidhë personalisht pa involvuar partinë. Këtë duhet ta demonstrojë edhe në kuvendin e partisë.
Por ta zemë një çast se delegatët janë inatosur me “irlandezët”. Pa të drejtë kuptohet!! A nuk do të ishte e udhës për organet udhëheqëse që të sqaronin anëtarët e delegatët e partisë së tyre se e kanë gabim? Duke e bërë këtë në Kuvendin e jashtëzakonshëm apo edhe në mbledhjet e degëve në çdo qark. Sepse nëse nuk janë të aftë për këtë, ata duhet të shpjegojnë pse qenkan të aftë të mbajnë vulën e partisë!
Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike