Lacio e Simone Inzagit, arriti një fitore madhështore me rezultatin 3-0 në derbin e kryeqytetit përballë Romës. Të kaltërit e dominuan takimin, duke vendosur diktatin në fushën e lojës.
Ishte i përhershmi Çiro Imobile, ai që në minutën e 14-të, hapi serinë e golave, pas një gabim në mbrojtje të romanistëve, duke zhbllokuar sfidës.
9 minuta më pas ishte radha e Luis Albertos, për të ngritur rezultatin në 2-0. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e 2 golave nga ana e lacialëve, teksa në fragmentin e dytë të lojës, ishte përsëri mesfushori spanjoll, ai që shënoi golin e tretë të sfidës dhe të dytin personal.
Ky ishte triumfi i tretë radhazi në kampionat për Lacion, që u ngjit në kuotën e 31 pikëve, 3 më pak se Roma e vendit të tretë.