Shqiptarët do të duhet të paguajnë rreth 70 milionë euro taksa që rrjedhin si pasojë e koncesioneve që do të jepen përgjatë vitit të ardhshëm. Formati i koncesioneve me Partneritet Publik Privat po rëndon faturën e qytetarëve, të cilët do të duhet të paguajnë 30 për qind më shumë se ajo e vitit paraardhës. Sipas Ministrisë së Financave fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore të këtij viti u përllogarit me 7.1 miliardë lekë. Po sipas përllogaritjeve të kësaj ministrie pagesa për koncesionet do të jetë 9.4 miliardë lekë ose 70 milionë euro.
Kështu pritet të financohen 12 koncesione nga 8 koncesione që ishin llogaritur për këtë vit. Koncesionet e reja, janë ndërtimi i rrugës së Arbrit, koncesioni i mirëmbajtjes në rrugën e Kombit, Ndërtimi i inceneratorit të Tiranës dhe ndërtimi i shkollave në Bashkinë e Tiranës. Vlera më e madhe e financimeve do të shkojë për koncesionet në sektorin e shëndetësinë me 3.9 miliardë lekë ose 42 për qind e krejt vlerës totale të financimit për koncesionet më 2018.
Nga koncesionet e shëndetësisë vlera e më e madhe e financimit për vitin 2018 shkon për koncesionin e sterilizimit me rreth 1.5 miliardë lekë. Më tej financimet më të mëdha i merr koncesioni i shërbimeve laboratorike me mbi 880 milionë lekë dhe ai Check-Up me mbi 876 milionë lekë, shkruan Monitor.al
Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të startojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë Tiranë (bashkëfinancim) sipas detajeve të dhëna në Tabelën 12 të mëposhtme:
Pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2018, përbëjnë rreth 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2017.