Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Idajet Beqirit, kryetarit të Partisë së Unitetit Kombëtar, për tu çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit. Me vendimin që mori Kolegji, i jep fund përplasjes mes Kuvendit dhe Presidentit për ligjshmërinë ose jo të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve.
Me anulimin e kërkesës së Idajet Beqiri për të çregjistruar Partinë e Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet, do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i paligjshëm, dhe për pasojë do të ketë zgjedhje në 30 qershor.
“Ishim të detyruar të tërhiqeshim nga gara e 30 qershorit, pasi ky është një vendim që jepet nga organi më i lartë zgjedhor, në bazë të Kodit Zgjedhor dhe ai ka fuqi të marrë vendime fuqiplotë dhe është tërësisht detyrues për ne që të shkojmë në zgjedhje”, tha Beqiri për gazetarët.
I pyetur nëse kjo padi ishte ngritur që Kolegji Zgjedhor të fliste për dekretin e presidentit Meta, Beqiri tha: “Ky ishte shkaku që ne ngritëm padi dhe derisa Gjykata Kushtetuese në 2017-n thoshte që nuk është objekt për diskutim, e vetmja zgjidhje ishte t’ia shtronim Kolegjit Zgjedhor. Na thoni që dekreti është i ligjshëm dhe ne të çregjistrohemi. Vendimmarrja nuk është individuale, po e subjektit politik, dhe ne e analizuam situatën. Përderisa ne kishim dhe dekretin e presidentit dhe kur ndodhesh në dilema të tilla për emrin që ka partia dhe pas konsultimit, vendosëm që organi më i lartë i caktuar nga Kodi Zgjedhor nëse ka të drejtë KQZ apo presidenti është Kolegji, ndaj ne zgjodhëm këtë rrugë”.