Nga: Charles J. Chaput, kryepeshkop në pension i Filadelfias
Për të huazuar një thënie nga Katerina e Sienës, ‘nuk arrihet asgjë e madhe pa vuajtur’.
Askush nuk dëshiron të vuajë. Asnjë person i arsyeshëm nuk do të vuajë. Por shumica e njerëzve e dinë se arritja e diçkaje të rëndësishme është e vështirë. Vuajtja mund të jetë e frytshme nëse i kuptojmë rrënjët e saj dhe e kanalizojmë drejt qëllimeve të mira.
Tokëvili vuri re që demokracia izolon individin në emër të lirisë. Uendell Beri sulmoi ‘gjigantizmin’ e jetës moderne; si kjo i shndërron njerëzit në vuajtës pasivë zgjedhjesh të pakuptimta. Dhe Christopher Lasch shpesh fliste për “veten minimale”. Nën sulm, -tha ai,- gjithësecili minimalizohet në mbrojtje. Qëllimi kryesor bëhet mbijetesa fizike. Në fakt, përkundër gjithë idesë në kulturën tonë se “ti” dhe “unë” individualisht mund të bëjmë mrekullira , rrafshi i problemeve tona na lë të pafuqishëm.
E thënë thjesht: e meta e ‘vetes moderne’ nuk është se është shumë e fortë. Përkundrazi, është shumë e dobët. Jetët e konsumatorëve të sotëm janë të drejtuara për të krijuar dobësinë. Ajo kontrollon veten me publicitet, fantazi mediatike dhe një gamë të kufizuar zgjedhjesh materiale.
Familjet e forta bëjnë të kundërtën. Vetja jonë është kryesisht produkt i trajtimit dhe edukimit nga të tjerët. Baza i një ‘uni’ të pjekur dhe të aftë është familja e drejtuar nga dashuria e qëllimshme. Shkrimet e përshkruajnë dashurinë si “e fortë sa vdekja” (Kënga e Sol. 8: 6 dhe me arsye. Asgjë nuk ka fuqi më bindëse sesa vetëmohimi; shembulli, i forcuar me kalimin e kohës, i vetësakrificës për tjetrin, për të mirën e tjetrit.
Kjo lloj dashurie, lloji i vërtetë i dashurisë, formon jetën e fëmijës. Fëmija një ditë mund të largohet prej saj, por kurrë nuk do t’i shpëtojë kujtesës dhe efektit të saj. Në mënyrë të parashikueshme, duke pasur parasysh fuqinë e saj, dashuria e vërtetë gjithashtu vjen me një kosto; kosto në vështirësi dhe vuajtje. Natyra e marrëdhënieve seksuale të pakuptimta dhe me partnerë të ndryshëm në kulturën aktuale amerikane tregon një humbje, madje edhe urrejtje, të kostos së dashurisë dhe lidhjes shpirtërore që ajo sjell. Por kostoja justifikohet me atë që merr në këmbim që është fakti së një fëmijë i formuar me dashurinë prindërore bëhet një i rritur me identitet të fortë dhe humanizëm të thellë. Dhe një person i tillë është shumë më i vështirë për t’u manipuluar.
Pra, si arrihet një familje e fortë? Dhe këta individë të fortë?
Askush në historinë e afërt nuk mund të barazohet me Karol Wojtilën, Papa Gjon Pali II, për punën që ka bërë në promovimin e mendimit të krishterë mbi dinjitetin e martesës dhe familjes. Me përgatitje prej filozofi, Gjon Pali II-të ishte gjithashtu një predikues i aftë. Ai kënaqej dhe takohej me padurim me njerëzit e zakonshëm. Fliste për shqetësimet, shpresat dhe nevojat e tyre. Në një kuptim të caktuar, jeta e tij ilustroi fjalët e Katerinës së Sienës:
Vuajtjet e shkaktuara nga një luftë botërore dhe dy regjime totalitare e bënë atë më të fortë, më real, më njerëzor. Kështu, mësimet e tij riafirmuan me një bukuri dhe thellësi të jashtëzakonshme mësimet e një përvoje të gjatë të krishterë. Dhe u mor shumë me parime të jetës familjare:
Veprimet flasin më shumë se fjalët.
Fjalët duhet të përdoren për të thënë të vërtetën. Në mënyrë të ngjashme, veprimet tona “flasin”. Ashtu siç mund të gënjejmë dhe fyejmë me fjalët tona, ashtu edhe mund të gënjejmë dhe fyejmë me shembullin tonë. Një fëmijë që rritet në një shtëpi ku babai i tij abuzon me nënën do ta ketë të vështirë të mësojë të respektojë dhe të dojë gratë. Shembulli vetjak e formëson botën, pavarësisht nëse veprojmë me vetëdije apo jo. Fëmijët shohin gjithçka. Nëse prindërit e duan njëri-tjetrin, fëmijët e tyre mësojnë të duan. Nëse prindërit e duan Zotin, fëmijët e tyre mësojnë besimin.
Liria nuk është licencë.
Humbja e lirisë së vërtetë është një tipar i jetës moderne. Toleranca respektohet si simbol i një populli të ndriçuar. Por ngurrimi për të emërtuar të keqen, për të mësuar të mirën nga e keqja dhe për t’i rezistuar sjelljeve të krijuara nga e keqja, është një recetë për licencë, jo për liri. Gjon Pali theksoi se liria autentike është aftësia për të bërë atë që është e drejtë, jo domosdoshmërisht atë që duam. Prindërit duhet të predikojnë të njëjtën gjë. Liria dhe përgjegjësia shkojnë dorë për dore dhe përgjegjësia jonë është drejt së vërtetës. Vetë Jezusi tha “ju do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë”.
Dituria është një bekim. Pa mençuri, bëhet një mallkim.
Dituria fisnikëron intelektin njerëzor përmes përvetësimit të fakteve dhe përvojave. Por faktet e ndara nga një kornizë morale e kuptimit kthehen lehtësisht në armë. Urtësia është aftësia për të përdorur njohuritë në mënyrën e duhur, për qëllimet e duhura. Urtësia është dhurata më e madhe. Prandaj, së pari duhet të kërkojmë mençuri, në mënyrë që njohuritë që mësojmë t’i shërbejnë, në vend se abuzimeve, dinjitetit njerëzor.
Mësoni të shihni qartë dhe të mendoni në mënyrë kritike.
Një shenjë e kohës sonë është humbja e të menduarit kritik. Shumë shpesh ne jemi të gatshëm të besojmë median, për të përmendur vetëm një shembull, pa diskutuar saktësinë ose paragjykimin e tyre. Ne pranojmë të trajtohemi si qëllime të marketingut. Ne duhet të rimarrim artin e të menduarit kritik dhe duhet ta rrënjosim atë tek fëmijët tanë.
Të mendosh në mënyrë kritike dhe të shohësh qartë përfshin zhvillimin e mjeteve për të dalluar të mirën nga e keqja, bukurinë nga e shëmtuara. Familjet duhet t’i përdorin këto mjete për të përfshirë kulturën dhe për ta rinovuar atë nga brenda.
Mësoni dhe jetojini virtytet.
Besimi i krishterë nuk është një përmbledhje (e gjërave që) “nuk duhet”. Është një ftesë për shpirtin ose virtytin; përsosmëria e një jete plotësisht njerëzore siç e kishte menduar Zoti. Në traditën katolike, virtytet ndahen në dy grupe themelore; morale dhe teologjike. Virtytet morale janë prirje të forta dhe të zakonshme për të bërë mirë. Ne fitojmë virtyte morale përmes përpjekjes njerëzore të ndihmuar nga hiri i Zotit .Virtytet teologjike, besimi, shpresa dhe dashuria janë dhurata falas nga Zoti.
Ashtu siç dobësohet një muskul pa ushtrime, ashtu edhe virtytet zbuten pa praktikë të vazhdueshme. Për më tepër, çdo fëmijë është veçanërisht i prirur për disa virtyte dhe më pak për disa të tjerë. Kjo është arsyeja pse prania e përditshme dhe e afërt e prindërve në jetën e fëmijëve të tyre është tepër jetësore.
Respektoni shenjtërinë e jetës.
Të qenit i hapur për një jetë të re dhe respekti për të gjithë jetën, nga ngjizja te vdekja natyrore: këto janë maja e komunitetit njerëzor; burimet e shpresës dhe shprehjet e besimit në të ardhmen. Me fjalët e Gjon Palit, “një civilizim i frymëzuar nga [një] mentalitet anti-lindje nuk është, dhe kurrë nuk mund të jetë, një civilizim i dashurisë”. Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që kemi krijuar. Dhe nuk kemi nevojë të kërkojmë prova. Shumica e kombeve mbyllën dyert gjatë pandemisë së koronavirusit 2020 por shumica e klinikave të abortit mbetën të hapura.
Mësoni zakonin e mirënjohjes.
Pavarësisht nga të gjitha përparësitë tona moderne materiale, ne jetojmë në një botë pa gëzim; një botë e zhytur në idenë se nuk kemi sa duhet; se kemi nevojë për më shumë gjëra; se meritojmë më shumë gjëra dhe se duhet t’i marrim gjërat që duam tani.
Duhet t’i përqendrojmë zemrat tona te mirënjohja, te të qenit të gëzuar me atë që kemi; ose më saktë, me atë që na ka dhënë Zoti. Mirënjohja, siç tha dikur Dietrich Bonhoeffer, është fillimi i gëzimit.
Krijo heshtje
Romano Guardini, një nga teologët e mëdhenj katolikë të shekullit të kaluar, përshkroi vlerën e heshtjes si më poshtë:
Vetëm ata që janë në gjendje të heshtin mund të flasin në një mënyrë kuptimplote; përndryshe thuhen marrëzira. Vetëm folësi i mirë mund të heshtë në mënyrë adekuate; përndryshe është memec. Njeriu jeton në këto dy mistere; uniteti i tyre shpreh natyrën e tij. Të jesh i aftë të heshtësh është një virtyt. Kush nuk mund të heshtë bën të njëjtën gjë me jetën e tij si një njeri që do të donte vetëm të nxirrte frymën dhe të mos thithte. Thjesht duke e imagjinuar ndihesh i tmerruar. Njeriu që nuk hesht kurrë e humb humanitetin e tij.
Dhe e fundit: Lutuni së bashku.
“Familja që lutet bashkë qëndron bashkë”. Është një fjalë e urtë e vjetër, por është gjithashtu e vërtetë. Lutja duhet të jetë një aktivitet kkryesor i jetës familjare. Lutja bashkon familjen në një projekt të përbashkët lavdërimi dhe falënderimi; dhe koha që merr vulos lidhjen. Në lutje shpresat e një familjeje mund të shprehen, ndahen dhe bëhen të frytshme nga hiri i Zotit. Asgjë nuk mund të zërë vendin e saj.
Ku na shpie e gjitha kjo?
“Familja”, shkruajti Gjon Pali II gati 30 vjet më parë “gjithmonë është konsideruar shprehja e parë dhe themelore e natyrës shoqërore të njeriut. . . Një komb me të vërtetë sovran dhe i fuqishëm shpirtërisht përbëhet gjithmonë nga familje të forta që janë të vetëdijshëm për thirrjen dhe misionin e tyre në histori. “Pikërisht sepse lidhjet e gjakut, farefisnisë dhe familjes janë kaq të forta bën që një qenie njerëzore të jetojë, punojë dhe , kur është e nevojshme, të vdesë për familjet e vet. Kjo shpjegon pse “historia e njerëzimit, historia e shpëtimit, kalon përmes familjes”.
Përshtatur nga Totila Kotorri për Tirana Today, marrë nga ‘First Things’