Një intervistë e Michael Schumacher, e dhënë më pak se dy muaj përpara aksidentit të rëndë në vitin 2013, është publikuar nga familja e tij. Intervista është publikuar në faqen e Michael Schumacher. Aty, kampioni gjerman i Formula 1, reflekton për jetën dhe karrierën.
Ai përshkruan emocionin e madh që përjetoi kur fitoi kampionatin e parë në Formula 1, pasuar nga gjashtë të tjerë.
“21 vjet pa asnjë kampionat tek Ferrari, katër vite që dështoja vetë, dhe në fund, në një garë të madhe, ia dalim të fitojmë”.
Ai thotë se piloti i McLaren, Mika Hakkinen ka qenë rivali që respektonte më shumë, kurse idhullin në sport nuk e ka nga garat e automobilizmit. Idhulli i tij është Toni Schumacher, portieri legjendar i Gjermanisë, me të cilin ai nuk ka lidhje.
“Suksesi, në çdo situatë në jetë, për aq sa di unë, vjen nga puna në skuadër. Për vete bën atë që bën, por si skuadër je më i fortë”.
I pyetur nëse ka pasur dyshime në aftësitë e tij, ai thotë se ka qenë gjithmonë skeptik, edhe kur fitonte.
“Rekordet janë një gjë; dyshimet, mendoj se është shumë e rëndësishme që të mos kesh besim të tepruar- të jesh skeptik, të kërkosh përmirësimin”.
“Po, gjithmonë e ndjeja që nuk isha i mirë mjaftueshëm, që duhet të punoja, dhe kjo është një pjesë e recetës që më ka bërë ky që jam”.
Intervista është dhënë më 30 tetor të vitit 2013. Më 29 dhjetor të atij viti, Schumacher u rrëzua teksa bënte ski dhe përplasi kokën në një shkëmb. Pas kësaj goditje, ai kaloi në koma.
49-vjeçari ka vazhduar që të marrë trajtim prej asaj kohe, por askush nuk ka informacione të sakta për gjendjen e tij, përveç një rrethi shumë të ngushtë pranë familjes.