Dy skuadrat shqiptare që vazhdojnë të luajnë në turet e Champions League, Kukësi dhe Shkëndija e Tetovës janë njohur me kundërshtarët për turet e radhës. Kukësi do të përballet me Qarabagun e Ansi Agollit, ndërsa Shkëndija me Sherif Tiraspol.Por në rast se aventura e dy klubveve në Champions do të përfundojë pas këtyre dy ndeshjeve atëherë ato do të luftojnë për një vend në grupet e Europa League. Aty ku në turin e tretë do kenë rivalë të lehtë në letër përballë dhe do të kenë shanse të shkëlqyera për të shkuar minimalisht deri në fazën play-off të këtij kompeticioni.
Verilindorët nëse do të eliminojnë Qarabagun do të përballen me fituesin e çiftit Torpedo Kutaisit të Gjeorgjisë dhe Vikingur të Ishujve Faroe, ndërkohë që akoma më të thjeshtë pritet ta ketë Shkëndija ndaj fituesit të çiftit mes Santa Coloma të Andorrës dhe Valur Reykjavik të Islandës.
Ndërkohë Drita në turin e tretë të Europa League nëse kalon luksemburgasit e Dudelange do të ketë përballë humbësen e çiftit të turit të dytë në Champions mes Legias së Varshavës dhe sllovakëve të Spartak Trnava.