Euro vijoi rritjen në kursin e këmbimit me lekun edhe në fillim të kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 124.58 lekë, në rritje me afërsisht një pikë e gjysëm krahasuar me të premten e javës së kaluar.
Kursi i këmbimit të euros ka arritur nivelin më të lartë që prej prillit të vitit 2020, kur tregjet ishin nën efektin e fazës së parë të pandemisë së Covid-19. Një rritje ditore e euros me 1.5 pikë nuk regjistrohej që prej fundit të marsit 2020, kur tregu hyri në një fazë të ngjashme paniku me atë që po kalon aktualisht.
Në atë rast, u desh ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë për të stabilizuar tregun valutor, duke shitur sasi të konsiderueshme të euros. Ekspertët e tregut valutor mendojnë se kjo situatë është rrjedhojë e kërkesës së lartë për euro për të financuar importet, por tashmë e gërshetuar edhe me elementë të panikut mes aktorëve të tregut. Tendenca e mbiçmimit të euros që nisi javën e kaluar ka krijuar një pritshmëri të forta në tregun valutor se monedha europiane do të forcohet më tej. Kjo pritshmëri i shtyn subjektet drejt blerjes së euros, duke rritur akoma më shumë kërkesën dhe duke krijuar kështu një efekt spiral të mbiçmimit të mëtejshëm të monedhës europiane. Ekspertët besojnë se gjasat janë që mbiçmimi i euros do të vazhdojë më tej.
Ndikimi më i prekshëm i luftës në Ukrainë për tregjet botërore deri tani është një rritje e fortë e çmimeve të lëndëve të para dhe sidomos e naftës. Në tregun shqiptar, gazoili dhe benzina kanë arritur çmimet rekord prej më shumë se 230 lekësh për litër. Përveç efektit direkt në inflacion, shtrenjtimi i produkteve energjetike do të ketë një ndikim të lartë në kostot e prodhimit të sipërmarrjes, çka paralajmëron një efekt të ndjeshëm inflacionist në ekonomi.
Paralelisht, leku vazhdoi të humbasë pikë në raport me të gjitha valutat e tjera kryesore ditën e hënë. Dollari amerikan kaloi kufirin e 115 lekëve, ndërsa paundi britanik atë të 151 lekëve. Mbiçmimi i valutave të tjera reflekton kryesisht tendencën e tyre të këmbimit me euron, duke qenë se volumet e këmbimit të tyre në tregun e brendshëm janë të vogla. Duke qenë se valuta e huaj referuese në ekonominë shqiptare ngelet euro, kursi i lekut ndaj monedhave të tjera reflekton kursin e tyre me euron.
Që nga nisja e sulmit rus mbi Ukrainë, monedha e përbashkët europiane ka humbur terren me shumicën e valutave në tregjet financiare. Megjithatë, një gjë e tillë nuk po ndodh në kursin e këmbimit me lekun. Ekspertët shpjegojnë se historikisht kursi i këmbimit mes euros dhe lekut është ndikuar pak nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Ky kurs përcaktohet nga faktorët e kërkesës dhe ofertës në tregun e brendshëm valutor./ Monitor