Tirana Today
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
Tirana Today
No Result
View All Result
Home Kryesore

A është Shqipëria “fara” e fundit e tolerancës fetare në Evropë?

8 vjet ago
in Kryesore, Të Gjitha
A është Shqipëria “fara” e fundit e tolerancës fetare në Evropë?

Máire Rowland, “Equal Times”/Është ora 8 e mbrëmjes së të premtes në Rrugën gjetheshumë të Kavajës në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, dhe thirrja për lutje nga Xhamia “Dine Hoxha”, përhapet me zë të lartë nëpër qendrën e qytetit.

Mes zallamahisë së mbrëmjes, është e vështirë të dallosh kalimtarët e rastësishëm që nxitojnë për diku, nga ata që shkojnë në xhami për lutjen e mbrëmjes, apo ata që mund të marrin pjesë në kungimin e Kishës Katolike aty pranë mëngjesin e së dielës, apo edhe në meshën e Kishës Ortodokse, që sërish gjendet po aty afër.

Kjo rrugë qendrore është shtëpia e besimtarëve – dhe jobesimtarëve – të të gjithë kategorive; shqiptarët që takohen dhe bisedojnë me njëri-tjetrin, shkojnë në shkollë, punojnë dhe jetojnë së bashku me lehtësi. Në fakt, Rruga e Kavajës, është një shembull i tolerancës së famshme fetare të Shqipërisë në mikrokozmos.

Sipas të dhënave më të fundit mbi popullsinë të vitit 2011, mbi gjysma (56.7 për qind) e popullsisë së Shqipërisë prej 2.8 milionë banorësh janë myslimanë të vetëshpallur, shumica e të cilëve janë sunitë, 10 për qind janë katolikë, thuajse 7 për qind e identifikojnë veten si ortodoksë, 5.5 për qind thonë se nuk kanë një fe të caktuar, 2.5 për qind identifikohen si ateistë apo anëtarë të një feje në minorancë, ndërsa 2.1 për qind janë anëtarë të sektit bektashian (një formë e sufizmit ballkanik, që e ka selinë qendrore në Shqipëri).

Në vitin 2014, Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë, një vend me shumicë myslimane, si stacionin e tij të parë në turin e parë të vizitave jashtë Italisë. Në majin e këtij viti, pas një vizite në vendin e vogël të Evropës Juglindore, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara mbi Fetë dhe Besimet, Ahmed Shahid vuri në dukje: “Liria e fesë apo e besimit, është një realitet praktik në Shqipëri, dhe bota ka shumë për të mësuar nga përvoja shqiptare sa i përket respektimit të lirisë së mendimit, ndërgjegjes, fesë apo besimit, si dhe arritjes së harmonisë ndërfetare”.

Në një kafene në katin e dytë, në mesin e tingujve të muzikës së viteve 1980 dhe gumëzhimës së klientëve, peshkopi Andon Merdani i Kishës Ortodokse Shqiptare, bie dakord me këtë konstatim. Ai kujton me dashuri një moment, kur ka përjetuar ndikimin e fuqishëm dhe pozitiv të unitetit ndërfetar në Shqipëri.

“Pas sulmit ndaj revistës Charlie Hebdo në Paris, kryeministri shqiptar i ftoi udhëheqësit fetarë që ta shoqëronin atë në kryeqytetin francez për të shprehur ngushëllimet, si dhe për të marrë pjesë në marshimin kundër ekstremizmit”- thotë peshkopi Merdani për “Equal Times”.

“Ne shkuam në zyrat e Charlie Hebdo, kryem homazhe dhe vendosëm lule. Më pas ecëm nëpër rrugët e Parisit, një mysliman, një ortodoks, një katolik, një bektashi – të gjithë ne mbanim veshur rrobat dhe simbolet tona fetare, duke ecur së bashku, folur së bashku, thjesht pasi jemi miq”.

Ai vazhdon: “Ne mund ta ndjenim tensionin që nderej ato ditë në Paris, por kur njerëzit atje na panë të gjithë së bashku, filluan të duartrokasin duke bërtitur në kor “Bravo!”. Për ne ishte aq normale të ecnim së bashku, por në Paris qe diçka shumë e veçantë”.

Praktika fetare në një shtet ateist

Por, rruga drejt harmonisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore, nuk ka qenë dhe aq e drejtë për Shqipërinë. Ndonëse qeveritë e njëpasnjëshme paskomuniste e kanë inkurajuar harmoninë ndërfetare, duke pasur një qasje neutrale ndaj bashkësive fetare, imponuar një kornizë ligjore që garanton lirinë e fesë, dhe promovon në mënyrë aktive bashkëpunimin ndërfetar, ky nuk ka qenë gjithnjë rasti.

Pas pushtimit nga italianët dhe gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u qeveris nga diktatura marksiste-leniniste e Enver Hoxhës për më shumë se 40 vjet. Policia sekrete neutralizoi të gjithë ata që sfiduan regjimin, shumicës së qytetarëve iu ndalua të udhëtonte jashtë vendit, feja u shpall e jashtëligjshme, dhe disa udhëheqës fetarë u vranë.

Në vitin 1967, Shqipëria e shpalli veten një shtet ateist. Përndjekja fetare, vazhdoi deri në rënien e komunizmit në vitin 1990, ku shqiptarët përqafuan sërish identitetet e tyre fetare. Besimtarët e të gjitha besimeve fetare, filluan t’u riktheheshin vendeve të tyre të adhurimit, dhe ngadalë të rindërtonin vendet e shenjta që ishin dëmtuar apo shkatërruar gjatë periudhës komuniste.

Rrezet e diellit, derdhen nëpër dritaret e bukura të selisë qendrore të Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë në Tiranë. Dritarja nga kati i katërt, të siguron një pamje të plotë të xhamisë më të re të Tiranës, që është aktualisht në ndërtim e sipër matanë rrugës. “Do të jetë në gjendje të mirëpresë 5.000 njerëz”- shpjegon Agron Hoxha, zëdhënësi i Komunitetit. “Do të jetë xhamia më e madhe në Ballkan, dhe parashikohet të përfundojë vitin e ardhshëm”.

Madhësia e ndërtesës, e cila financohet nga qeveria turke, është befasuese. Kur të përfundojë ndërtimi, do të ketë një xhami qendrore ku myslimanët e Tiranës do të mund të kryejnë ritin e faljes, dhe që deri më sot detyrohen shpesh të falen në trotuar, kur ndjekin lutjen e së premtes në xhamitë e tyre të vogla nëpër lagjet e kryeqytetit.

Xhamia e re po ndërtohet në Rrugën “George W. Bush”. Ajo mori këtë emër pas vizitës së ish-presidentit amerikan në vitin 2007, si një shprehje e ndjenjës pro-amerikane të Shqipërisë, për mbështetjen e fortë që Amerika i dha ndërhyrjes së NATO-s gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999, një vend ku më shumë se 80 për qind e popullsisë janë shqiptarë etnikë.

Ndalimi i ekstremizmit, dhe sigurimi i harmonisë edhe në të ardhmen

Pavarësisht harmonisë fetare, Shqipëria nuk ka qenë e imunizuar ndaj përhapjes së ekstremizmit islamik. Në nëntorin e vitit 2016, autoritetet në Kosovë arrestuan 19 persona të dyshuar për planifikimin e një sulmi terrorist, gjatë ndeshjes eliminatore për Kupën e Botës në futboll midis Shqipërisë dhe Izraelit. Policia që hetoi incidentin, zbuloi eksplozivë dhe prova se komploti ishte duke u koordinuar nga dy shqiptarë të Kosovës, që janë anëtarë të njohur të të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Sipas statistikave, të qeverisë shqiptare, në vitin 2015, 114 qytetarë shqiptarë njiheshin se luftonin për të ashtuquajturin Shtet Islamik në Siri dhe Irak. Studimi mbi arsyet, ka nxjerrë në pah ekonominë si një ndër faktorët kryesorë motivues. Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë, me një shkallë të lartë të papunësisë, veçanërisht në mesin e të rinjve – rreth 28 për qind e të rinjve të moshës 15-29 vjeç janë të papunë.

Një studim i vitit 2015 mbi radikalizmin fetar, dhe ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri vërente: “Zonat periferike dhe rurale, shfaqin treguesit më shqetësues për vektorët ekonomikë socialë, ku grupimet më të rrezikuara ndaj radikalizmit përfshijnë njerëz dhe familje të varfra, të rinj të papunë, apo të rinj që besojnë se janë duke u diskriminuar për shkak të besimit të tyre”.

Hoxha thotë se Bashkësia Myslimane e Shqipërisë po bashkëpunon me Ambasadën Amerikane në Tiranë, për të zbatuar projekte të ndryshme në luftën kundër radikalizmit, dhe ai mendon se Shqipëria ka bërë një “punë të mirë” në uljen e kërcënimit nga ekstremizmi.

Shifrat e fundit tregojnë se numri i shqiptarëve që i bashkohen ISIS-it është zvogëluar. Nëse kjo rënie ka ndodhur për shkak të përkeqësimit të pozitës së Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme, apo përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe komuniteteve fetare, kjo vlen të debatohet, por është e qartë se udhëheqësit fetarë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e përçarjeve dhe ekstremizmit.

Megjithëse bashkëpunimi i dukshëm ndërfetar, është i rëndësishëm për harmoninë e vazhdueshme në vend, Shqipëria përballet me sfida të tjera që mund të përbëjnë një kërcënim për statuskuonë aktuale. Një ndër problemet kryesore, është rikthimi i pronave të institucioneve fetare, të cilat u konfiskuan nga qeveria komuniste e Hoxhës.

Sipas peshkopit ortodoks Merdani, “vetëm 10 për qind e kërkesave tona për pronat, janë trajtuar nga qeveria”.

Ankesa të tilla vijnë nga secila prej bashkësive fetare në vend. Zyrtari i OKB-së Shahid, “beson se vonesat nuk janë rezultat i kompleksitetit logjistik, apo burokratik të problematikes, por i mungesës së vullnetit politik nga ana e shtetit për vite me radhë”.

Këto vonesa kanë shkaktuar zhgënjim në mesin e komuniteteve fetare në vend, çka nganjëherë kanë degraduar në konflikte me ata që banojnë aktualisht në pronat e pretenduara. Hoxha i Komunitetit Mysliman, beson se rruga e duhur për të garantuar që ideologjitë e rrezikshme dhe ndarjet midis feve të mos gjejnë terren në Shqipëri, është vazhdimi i promovimit të projekteve ndërfetare dhe dialogut në nivelin bazë.

“Unë kam 3 fëmijë. Ne jemi myslimanë. Për Krishtlindje, i çova fëmijët e mi në Kishë, vetëm për të parë se çfarë ishte ky institucion, ashtu siç shkojmë në xhami për Bajram. Doja që ata të shihnin se Kisha nuk është një vend i çuditshëm apo i frikshëm, vetëm pse ne nuk jemi të krishterë… Unë shpresoj se ata do të jenë myslimanë të mirë, por të jesh një mysliman i mire, do të thotë të respektosh të tjerët. Besoj se nëse ke pak respekt për diçka që nuk e njeh, duhet ta kuptosh një grup për ta respektuar atë. Nga natyra e tyre, njerëzit bëjnë armik atë që nuk e njohin”.

Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Tags: e funditevropefarafetarehoxhakishakomuniteti myslimanmyslimaneshqiperiate krishteretolerancesxhamia

TË LIDHURA

Tiranë/ Adoleshenti 14-vjeçar bie nga kati i gjashtë i pallatit
Aktualitet

Tiranë/ Adoleshenti 14-vjeçar bie nga kati i gjashtë i pallatit

20:41 | 07/06/2025
Shqiptari Arrestohet në Itali për Korrupsion dhe Drogë në Puglia
Aktualitet

Shqiptari Arrestohet në Itali për Korrupsion dhe Drogë në Puglia

19:20 | 07/06/2025
Policia arreston katër persona, mes tyre një shqiptar! Sekuestrohen apartamente luksoze dhe llogari bankare
Aktualitet

Policia arreston katër persona, mes tyre një shqiptar! Sekuestrohen apartamente luksoze dhe llogari bankare

18:11 | 07/06/2025
Next Post
Historiani skocez: Nuk e duam dominimin gjerman. Brexit do të na kushtojë shumë

Historiani skocez: Nuk e duam dominimin gjerman. Brexit do të na kushtojë shumë

Tifozët protestojnë përpara Kryeministrisë: Ndaloni ekstradimin në Serbi të Ismail Morinës

Tifozët protestojnë përpara Kryeministrisë: Ndaloni ekstradimin në Serbi të Ismail Morinës

 Si u rrahën “The Beatles” në Filipine

 Si u rrahën “The Beatles” në Filipine

JU REKOMANDOJMË

Motori ua preu ëndrrat në mes, kush janë dy të rinjtë që humbën jetën dje në Vlorë

Motori ua preu ëndrrat në mes, kush janë dy të rinjtë që humbën jetën dje në Vlorë

10:46 | 02/06/2025
E rëndë! Ndërron jetë aktori i njohur në moshën 41-vjeçare pas luftës me kancerin

E rëndë! Ndërron jetë aktori i njohur në moshën 41-vjeçare pas luftës me kancerin

19:33 | 02/06/2025
Dumani i përgjigjet Berishës: Data e operacionit është vendosur me autoritetet ndërkombëtare

Dumani i përgjigjet Berishës: Data e operacionit është vendosur me autoritetet ndërkombëtare

14:17 | 03/06/2025
Valeri i Big Brother vjen plot surpriza, firmos kontratë me spektaklin e njohur

Valeri i Big Brother vjen plot surpriza, firmos kontratë me spektaklin e njohur

15:27 | 21/06/2019




TË FUNDIT

Tiranë/ Adoleshenti 14-vjeçar bie nga kati i gjashtë i pallatit
Aktualitet

Tiranë/ Adoleshenti 14-vjeçar bie nga kati i gjashtë i pallatit

by mirseda
20:41 | 07/06/2025
0

Erëndë në Tiranë/ Adoleshenti 14-vjeçar bie nga kati i gjashtë i pallatit në Yzberisht vijon…

Bulku për Serbinë: “Të fortë si në Beograd, rëndësi ka fitorja”

Bulku për Serbinë: “Të fortë si në Beograd, rëndësi ka fitorja”

20:20 | 07/06/2025
Tifozeria Kuqezi Këndon “Mora Fjalë…” Para Ndeshjes Shqipëri-Serbi

Tifozeria Kuqezi Këndon “Mora Fjalë…” Para Ndeshjes Shqipëri-Serbi

20:02 | 07/06/2025
Luizi Reagon Pas Akuzave për Përdorim Pa Leje të Muzikës Folklorike

Luizi Reagon Pas Akuzave për Përdorim Pa Leje të Muzikës Folklorike

19:43 | 07/06/2025
Nën masa të rrepta sigurie, tifozët shqiptarë fillojnë të “mbushin” stadiumin për ndeshjen me Serbinë

Nën masa të rrepta sigurie, tifozët shqiptarë fillojnë të “mbushin” stadiumin për ndeshjen me Serbinë

19:39 | 07/06/2025

Tirana Today


© 2024 TiranaToday Dev By: Techzero1.com


© TIrana Today. All rights reserved.

Kontakt

EMAIL : [email protected]

Cel: +355694040005

Follow Us

Tirana Today

© TIrana Today. All rights reserved.

EMAIL : [email protected]

Cel: +355694040005

© 2022 TiranaToday Dev By: wearedope.com

Follow Us

No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing

© 2024TiranaToday Dev by : Techzero1.com