Erdogani duhet të zgjedhë njëherë e mirë midis Perëndimit dhe Lindjes

Nga: Metin Gurcan “Al Monitor”

Në një hark kohor 5-ditor gjatë javës së kaluar, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dha dy mesazhe diametralisht të kundërta për Uashingtonin, duke theksuar lëkundjet e tij mbi lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe me Perëndimin në përgjithësi, një sjellje balancuese që ai nuk mund ta ketë më në të ardhmen.

Në një fjalim të mbajtur më15 shkurt pas vdekjes së 13 robërve turq nga militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grupim i cilësuar si terrorist nga Ankaraja, Erdogan sulmoi Uashingtonit pse mban“anën e terroristëve”.

Duke iu referuar PKK-së dhe partnerëve të saj në Siri, Erdogan tha:“Ju pretendoni se nuk jeni në krah të terroristëve, se nuk jeni në krah të PKK, YPG dhe PYD, por në fakt jeni qartazi në anën e tyre dhe qëndroni pas tyre”. Gjithashtu, ai akuzoi Shtetet e Bashkuara për “shpërndarjen e mijëra kamionëve me municione për terroristët” në Irakun verior.

Pastaj, në një fjalim me video drejtuar komunitetit turk në SHBA më 20 shkurt, Erdogan mbështeti “bashkëpunimin strategjik” midis dy vendeve. “Ne besojmë se interesat tona të përbashkëta me Amerikën, i tejkalojnë mosmarrëveshjet tona. Ne jemi të gatshëm të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë me administratën e re amerikane, bazuar në një perspektivë afatgjatë dhe në një qasje të favorshme për të dyja vendet”-tha ai.

Sjellje të tilla kaq të ndryshme,kanë të bëjnë më pak me lidhjet turko-amerikane, dhe më shumë me politikën e brendshme të Turqisë dhe pavendosmërinë e Erdoganit. Së pari,vlen të përmendet se nuk mund të flitet më për një politikë të jashtme turke siç e njihnim deri disa vite më parë.

Që nga tranzicioni i Turqisë në vitin 2018 drejt një sistem presidencial ekzekutiv sipas dëshirës së Erdogan, ajo që Ankaraja ka ndjekur vështirë se mund të quhet një politikë e jashtme kombëtare, por janë më tepër marrëdhënie të jashtme të dizenjuara për të mbrojtur dhe forcuar qëndrimin politik të Erdoganit në Turqi, pra më shumë në stilin e marrëdhënieve me publikun.

Për të kuptuar më mirë kontradiktat e Erdoganit, duhet që të analizohen zgjedhjet diplomatike të Ankarasë jo si politikë e jashtme, por si përllogaritje për të siguruar mbijetesën politike të Erdoganit, apo si truke publicitare për të forcuar imazhin e tij në Turqi.

Strategjisë së Ankarasë për të vënë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë kundër njëra-tjetrës në rajone ku ka kriza si në Siri, Irak, Libi, Mesdheun Lindor, pellgune Detit të Zi dhe Nagorno-Karabak, duke përfituar nga zonat gri në lidhjet SHBA-Rusi, i ka ardhur fundi, dhe kjo si rezultat i lëvizjeve më këmbëngulëse nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Evropa dhe më e rëndësishmja, ndryshimi i presidentit në Uashington.

Administrata e Xho Bajden dhe Kremlini, po sinjalizojnë se ka ardhur koha që Erdogan të zgjedhë më në fund se në cilën anë do të rreshtohet. Megjithatë, Ankaraja është konfuze nëse duhet të bëjë një kthesë vendimtare drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, aleatëve tradicionalë të Turqisë, apo të zgjedhë partneritete më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, siç predikojnë Euroazianistët më të zëshëm në vend.

Në një përçarje që është bërë gjithnjë e më e dukshme që nga viti i kaluar, mbështetësit e Erdogan janë të ndarë mbi drejtimin që do t’i shërbente më mirë interesave të tij në vend.

Për shembull, në shkurt 2020, Burhanetin Duran – kreu i institutit pro-qeveritar SETA dhe anëtar i një bordi të politikës së jashtme që këshillon presidentin turk – shkroi se Shtetet e Bashkuara duhet të bëhen më aktive në provincën e Idlibit të kontrolluar nga rebelët sirianë për të zbehur ndikimin e Rusisë.

Artikulli, i shkruar në mesin e tensioneve turko-ruse në Idlib në atë kohë, shkaktoi një reagim të ashpër nga e përditshmja Aydinlik, zëdhënëse e Euroazianistëve të Turqisë, të cilët  e mbështesin me forcë afrimin e Ankarasë me Moskën.

Dhe pas fitores së Bajden në zgjedhjet amerikane, Duran shkroi se “ekuilibra të rinj gjeopolitikë” po e detyronin Ankaranë dhe Uashingtonin që të bashkëpunonin, duke u kërkuar që të dyja palëve që të “çelin një faqe të re” në raportet dypalëshe.

Me sa duket, Duran dhe një numër ekspertësh të tjerë të politikës së jashtme pranë Erdoganit, besojnë se prirja ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe ruajtja e lidhjeve transaksionale me Perëndimin, do t’i shërbejnë më së miri axhendës së brendshme të Erdogan.

Por prirja ndaj SHBA-së dhe Evropën, do t`i hapte probleme me aleatin në qeveri, Partinë e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), e cila e ka futur Erdoganin në një diskurs nacionalist dhe izolacionist, ashtu si grupimet euroazianiste dhe anti-perëndimore.

Në fillim të shkurtit, Ministri i Brendshëm Sulejman Sojlu – një figurë afër MHP, që është bërë një promovues i nacionalistëve turq vitet e fundit –  e akuzoi Uashingtonin si fajtorin e vërtetë pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016 në Turqi, ndërsa ndihmësit e presidentit po përpiqeshin që të rregullonin një telefonatë midis Erdogan dhe Bajden.

Shpërthimi i befasishëm i Sojlu e sabotoi atë përpjekje, teksa Uashingtonin i cilësoi akuzat si “pretendime të pabazuara dhe të papërgjegjshme …në kundërshtim me statusin e Turqisë si një aleat i NATO-s dhe si partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara”.

Duke pasur parasysh rekordin e madh të Erdoganit me kthesat diplomatike pragmatike, shumë vëzhgues presin që ai në fund të zgjedhë rregullimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, megjithëse me synimin e pasjes së lidhjeve të ngushta ekonomike dhe tregtare dhe jo të një aleance të përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta.

Nga ana tjetër, skeptikët besojnë se ai ka arritur në një pikë pa kthim drejt një regjimi anti-perëndimor euroazianist, që është autoritar dhe izolues. Por unë besoj se Erdogan është ende i pavendosur, duke u përpjekur që të pranojë se ky vit,2021, do të jetë momenti i tij i së vërtetës.

Disa ide mbi qëllimet e Erdogan ka të ngjarë që të shfaqen së shpejti. Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) do të mbajë kongresin e saj më24 mars për të zgjedhur udhëheqësit e saj për tre vitet e ardhshme.

Udhëheqja e re do të hartojë politikat e AKP përpara zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare të planifikuara për në vitin 2023. Thuhet se në prag të kongresit, Erdogan po planifikon gjithashtu të zëvendësojë disa ministra dhe udhëheqës partie. Këto ndryshime do të ofrojnë të dhëna të shumta për drejtimin që po merr Erdogan.

Burimi i lajmit: https://www.al-monitor.com/pulse/originals/2021/02/turkey-united-states-russia-erdogan-faces-moment-of-truth.html

Përshtatur nga TIRANA TODAY