Erdogan thotë se Putini ‘po përdor të gjitha mjetet dhe armët e tij’. Gazi natyror, për fat të keq, është një prej tyre. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan fajësoi të martën për krizën energjetike të Evropës sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës – një linjë e ndjekur nga vetë Kremlini.
Erdogan ka mbajtur marrëdhënie të mira pune me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa përpiqet të qëndrojë neutral në konflikt dhe të furnizojë Ukrainën me armë dhe drone luftarake turke.
“Qëndrimi i Evropës ndaj zotit Putin, sanksionet e saj, e çuan zotin Putin – me dëshirë ose jo – në pikën që të thoshte: “Nëse ju bëni këtë, unë do ta bëj atë”, tha Erdogan.
“Ai po përdor të gjitha mjetet dhe armët e tij. Gazi natyror, për fat të keq, është një prej tyre”.
Komentet e Erdogan i bëjnë jehonë atyre të shprehura nga Moska këtë javë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov fajësoi të hënën ndërprerjen e dërgesave të gazit nga Rusia në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream për “sanksionet që u vendosën kundër vendit tonë”.
Rusia përbënte gati gjysmën e blerjeve të gazit natyror të Turqisë vitin e kaluar. Ankaraja u zotua të kalojë ngadalë në pagesën e importeve ruse me rubla në një samit midis Erdogan dhe Putin në Soçi, në fillim të këtij muaji.
Analistët besojnë se marrëveshja do të sigurojë që Rusia do të vazhdojë të furnizojë Turqinë me gaz përmes tubacionit TurkStream që kalon nën Detin e Zi. Erdogan tha se nuk priste që vendi i tij të përjetonte ndonjë mungesë energjie këtë vit.
“Unë mendoj se Evropa do të ketë probleme serioze këtë dimër”, tha Erdogan. “Ne nuk kemi një situatë të tillë”.
Rritja e çmimeve globale të energjisë, e shkaktuar nga ndërprerjet e furnizimit rus, nxiti një krizë ekonomike në Turqi, e cila ka parë një rritje vjetore të inflacionit në 80 përqind dhe rënien e vlerës së lirës.
Burimi i lajmit: i24news.tv. Përshtatur nga Tirana Today