Emiljano Shullazi dhe anëtarët e tjerë të grupit të tij i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit, me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë.
Pritet që seanca të mbahet në orën 12:00 në gjykatë, ndërsa prej më shumë se një viti procesi ka ngecur në Apel, me seancat që zvarriten dhe i lënë vendin njëra-tjetrës.
Kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë vjen pas disa vendimeve për lirimin e disa të dënuarve me burgim të përjetshëm, ku duket se dhe Shullazi kërkon të njëjtat përfitime.
Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë për përvetësim pasurie, kërcënim, e grup të strukturuar kriminal Emiljano Shullazin, i cili u dënua me 14 vjet burg. Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg.