Familjarët e viktimave të 21 janarit mbeten ende në kërkim të drejtësisë dhe ndëshkim për përgjegjësit. Tashmë kanë kaluar 9 vite nga 21 janari 2011. Ana Veizi, vajza e Ziverit, njërit prej viktimave të asaj dite, është rrëfyer për ‘A2’ se e ka pasur shumë të vështirë gjithë këto vite, pa babanë. “Dhimbja nuk mund të përshkruhet me fjalë”, thotë ajo në një prononcim për ‘A2’.
Ajo mbetet me shpresë tek drejtësia dhe kjo e bën edhe më të fortë. “Kjo është një ngjarje shumë më e rendë dhe e ndërlikuar se sa jepet, kështu që kjo është arsyeja pse drejtësia ende nuk jepet”, thotë ajo.
“Megjithatë unë kam ende besim te drejtësia, te reformat e reja, te SPAK. Besoj se ndoshta do të përshpejtohet drejtësia. Gjithmonë do të vazhdoj të besoj te drejtësia, nuk i kam humbur asnjëherë shpresat dhe ndoshta kjo më jep forcë”.
Me qeverinë Rama, Ana thotë se ka marrëdhënie shumë të mira. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta, edhe për probleme të tjera personale që mund të kemi përveç vënies së drejtësisë. Na kanë qëndruar afër dhe ndihemi shumë mirë nga kjo pjesë, shumë të plotësuar”, thotë ajo.