Deri më tani, Shqipëria është përballur me dy sulme të fuqishme kibernetike. Gjatë mbrëmjes së 9 shtatorit u raportuan probleme me sistemin TIMS, si edhe shtim të radhëve të qytetarëve nga brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë për shkak të një problemi në sistemin TIMS, i cili fillimisht nuk u kuptua se përse ndodhi.
Sevdali Selmani, ekspert i Teknologjisë së Informacionit, Shkup, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Abc Live’, në Abc tha se këto sulme nuk vijnë vetëm nga Irani. Ai përmendi Rusinë dhe Kinën. Eksperti parajmëroi se këto sulme do të përsëriten.
“Nuk është vetëm Irani që po sulmon. Është edhe Rusia, Kina. Këto janë sulme të avancuara që bëhen në shtete ballkanike.
Ka disa faza në të cilat hakerat sulmojnë. Sa i përket mbrojtjes kibernetike është një tematikë nacionale, rrezik nacional dhe vetë shtete apo organizatat duhet të investojnë në resurse njerëzore dhe teknologjike.
Është e pamundur që mbrojtja të jetë 100%, por duhet të minimalizohen pasojat nga këto sulme. Unë jam i bindur se këto sulme do të përsëriten kohë pas kohe, varet nga situata. Ky duhet të shërbejë si një mësim për ne që të rrisim mbrojtjen nacionale”.