Ka dështuar për të dytin vit koncesioni i laboratorit spitalor. Sipas burimve për Tirana Today nga QSUT-ja theksojnë se prej janarit të 2018-s ka mungesë të theksuar te kiteve dhe reagenteve, çka e bën të vështirë realizimin e analizave.
Ndërkohë që rezervat janë drejt fundit, komisioni koncensionar nuk ka nisur akoma nga puna ashtu siç ishte parashikuar në buxhetin e vitit 2018.
Të njëjtat burime bëjnë me dije për Tirana Today se marrëveshja është shtyrë për në shtator, shkak për këtë është bërë ndërhyrja e FMN-së që kërkon rishikimin e kontratës koncensionare pasi ka rezerva të forta për një nga tre ortakët e këtij koncesioni.
Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka një qëndrim përse ky koncesion nuk është vënë në jetë ende edhe se duhet të kishte filluar të funksiononte që në korrik të vitit 2017.
Nëse do të merret parasysh kërkesa e Fondit Monetar Ndërkombëtar për përjashtimin e një prej ortakëve, marrëveshja koncensionare bie dhe qeverisë do t’i duhet të nisë nga e para procedurat tenderuese.
Në një situatë të tillë rrezikohet moskryerja e të gjithë analizave spitalore. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të hapë dhjetëra tendera publikë për blerjen me procedurë të përshpejtuar me negociim për blerjen e këtyre reagetëve.
E ndërsa mbetet e paqartë me cilat fonde qeveria po operon për blerjen e kideve dhe reagenteve në një kohë që ky zë mungon në buxhetin 2018, pasi qeveria kishte parashikuar vetëm pagesën e dedikuar për firmën koncesionare që do të administrojë laboratorët.
TIRANA TODAY