Nga Anxhela Ferra
193, 196, 200; sa shtete janë në bote? Vende dhe organizata botërore të ndryshme kanë përgjigje kontradiktore. Por, është dikush që beson teorinë se në botë janë 236 shtete dhe ai i ka vizituar të gjitha. Deri këtu nuk ka diçka fort befasuese. Mirëpo, ndryshe nga çdokush ai gjithçka e ka bërë derisa ishte ende 30 vjeç. Dhe mbi të gjitha mbante një punë me kohë të plotë si dentist, në vendin e tij të lindjes në Amerikë. Po ashtu edhe gjatë kohës që punonte në Singapor.
Dustin Pfundheller është njeriu më i ri në moshë që ka arritur të vizitojë botën. Ndryshe nga çdo person tjetër që ka ndërmarr një aventurë të tillë, ai e ka nisur për një arsye të pabesueshme. Sepse, e dashura e braktisi. Nuk zgjodhi të dilte nëpër festa “të çmendura” apo të shtonte mërzitjen.
Por, vendosi të eksplorojë botën dhe të vërtetojë që nuk është aspak ashtu siç njihet masivisht. Gjithçka nisi si një aventurë vetjake, e përfundoi duke qenë një mision për të thyer steriotipe. Nëpërmjet videove në faqen e tij në rrjete sociale “Dustin Pfundheller”, si dhe kanalit në YouTube “Other Side of the Truth”.
Është shumë ndryshe nga udhëtuesit apo turistët e tjerë. Asnjëherë nuk ka preferuar sponsorë për udhëtimet e tij dhe aq më pak të vizitojë vetëm pikat turistike. Ka bërë gjithçka për të njohur vendasit, ata banorë të cilët janë fytyra e vërtetë e një vendi. Dhe jo ato që shpesh mediat zgjedhin të publikojnë. Madje këtë gjë e ka bërë në mënyra nga më të çuditshmet, të cilat i zbulon në intervistën e mëposhtme.
Por, kjo aventurë për të riun nuk ka qenë vetëm ‘fushë me lule’. Përkundrazi, vështirësitë kanë qenë të shumta, madje ka përfunduar edhe në burg.
Në një intervistë për Tirana Today Pfundheller rrëfen gjithë eksperiencat e tij përqark botës. Një intervistë sa njohëse, po aq edhe frymëzuese.
Tirana Today- Ta nisim intervistën me Shqipërinë, çfarë ju pëlqeu dhe çfarë jo?
Pfundheller- Një nga gjërat më të veçanta të Shqipërisë është se nuk është aq e famshme sa destinacione të tjera turistike. Unë bëra shumë miq në Shqipëri, njerëzit ishin shumë miqësor. Po ashtu mendoj se është relativisht e lirë. Dhe se gjërat janë shumë të përballueshme. Nuk mendoj se pati diçka që nuk më pëlqeu.
Tirana Today- Çfarë vizituat?
Pfundheller- Unë mora një makinë me qira dhe shëtita në të gjithë vendin. Por, më shumë qëndrova në Tiranë dhe Berat. Ishte shumë bukur të udhëtoje përgjatë kodrave. Mbaj mend se më duhet ta ndaloja makinën disa herë, pasi kalonin kopetë e deleve.
Tirana Today- Cilat ishin gjërat që iu surprizuan më tepër?
Pfundheller- Nuk ia kisha idenë për të shkuarën komuniste të Shqipërisë. Dhe nga miqtë shqiptarë dëgjova se në ato vite nuk i keni njohur bananet apo xhinset. Ju duhej leje për televizor dhe se gjithë këpucët dhe rrobat ishin të njëjta. Shkova edhe në muze, ku mësova se si fqinjët spiunonin njëri-tjetrin. Ishte shumë tronditëse.
Po ashtu u surprizova se si George Bush ishte kaq popullor në Shqipëri. Më thanë se vendi ku ai u ul, nuk lejohet të përdoret nga askush tjetër. Është kjo e vërtetë?
Tirana Today- Jeni personi më i ri në moshë që ka vizituar të gjitha vendet, teksa mbanit një punë me kohë të plotë. Si ia keni arritur të menaxhoni kohën?
Pfundheller- Kam qenë pak “i çmendur”. Unë punoja për 14 ditë nga 12 orë në ditë dhe më pas merrja 14 ditë pushim. Dhe këtë gjë e kam bërë për 6 vite. Gjithmonë zgjidhja fluturimet e darkës, në mënyrë që të maksimizoja kohën. Dhe zakonisht teksa udhëtoja, bëja vetëm 4 ose 5 orë gjumë.
Tirana Today- Po ashtu edhe njeriu më i ri, që ka udhëtuar botën duke paguar vetë për çdo udhëtim. Pse nuk keni pranuar asnjëherë sponsor?
Pfundheller- Kur e nisa këtë aventurë, nuk doja të isha i famshëm. Sepse mendoja se nëse njerëzit do ta dinin kush isha, përfshi këtu (vendasit, mediat, apo qeveritë); do të më trajtonin ndryshe. Unë doja të shihja të vërtetën, ndaj zgjodha të isha askush. Dhe kështu të eksploroja sa më shumë.
Dhe teksa vazhdoja të zbuloja botën për atë që ishte vërtetë, kuptova diçka që më ndryshoi totalisht. Se gjërat në shumë raste ishin ndryshe nga çfarë unë dhe pjesa tjetër e shoqërisë i mendonim. Dhe eventualisht vendosa që këto eksperienca t’i ndaja me të gjithë. Nëpërmjet videove në Facebook dhe Youtube. Ndaj edhe zgjodha emrin “Ana tjetër e të vërtetës” (“The Other Side of the Truth”). Në mënyrë për të treguar të vërtetën dhe thyeja steriotipet e botës.
Tirana Today- Gjëja më e ‘çmendur’ që keni bërë?
Pfundheller- Kam vizituar Izraelin me një pasaportë, të cilën e kisha të mbushur me pulla arabe. Fatkeqësisht, të bësh atë gjë është shumë marrëzi. Edhe pse absolutisht nuk duhet të jetë kështu. Ndërkohë gjëra të tjera të “çmendura” janë çfarë bëjnë zakonisht njerëzit kur udhëtojnë.
Tirana Today- Keni qenë po ashtu i arrestuar, çfarë ndodhi dhe si ishte ajo eksperiencë?
Pfundheller- Unë jam pyetur nga policia disa herë në vende të ndryshme. Thuajse të gjithë turistët qëndrojnë në hotele të mira dhe asnjëherë nuk takohen me vendasit. Ndaj shpesh policët janë të hutuar kur më shohin mua me banorët e zonës. Veçanërisht në vende si Afrika. Në Burundi, Afrikë, policia më arrestoi për një arsye absurde. Unë po qëndroja tek një vendas, i cili kishte një shtëpi të varfër afrikane. Dhe sipas policisë e vetmja arsye përse unë isha duke qëndruar atje, ishte sepse ne po bënim diçka të ndaluar. Prandaj më arrestuan dhe më futën në burg.
Ajo eksperiencë ishte shumë e vështirë. Ishim pesë njerëz në një qeli, pa krevate dhe vetëm një dysheme e lagur. Pa jastëk. Ndërsa për banjë, përdorej vetëm një kovë. Në fillim i trembesha burrave të tjerë afrikanë që ndodheshin aty. Por, gabohesha. Sepse ata u treguan shumë miqësorë me mua. Ndaj edhe vendosa që këtë eksperiencë ta dokumentoja në videon time Burundi.
Tirana Today- Cili ka qenë qëllimi juaj fillestar?
Pfundheller- Unë kam qenë shumë ndryshe nga shumica e udhëtarëve apo turistëve. Asnjëherë nuk numërova shtetet dhe aq më pak nuk e kisha planifikuar të vizitoja çdo shtet. Thjesht më pëlqente shumë të dilja, të eksploroja dhe të përfitoja eksperienca që askush tjetër nuk i njihte. Kam qenë në vende shumë të largëta dhe shumë pak të vizituara, si Krimeja, Saharaja Perëndimore dhe Kashmir.
Asnjëherë nuk e planifikova të udhëtoja botën. Kur nisa të udhëtoja kisha një të dashur dhe mendova se do ta bëja këtë gjë vetëm për 6 muaj. Ajo u nda me mua dhe unë nuk dija çfarë të bëja. Isha shumë i trishtuar dhe duke qenë se doja shumë të udhëtoja, vendosa që ta bëja këtë gjë.
Tirana Today- Ka ndryshuar me kalimin e kohës?
Pfundheller- Kur nisa të udhëtoja, shkoja në plazhe, bëja foto të pikave turistike dhe kaloja kohë me turistët e tjerë. Por, teksa nisa të takoja vendasit, kuptova që jetët dhe kultura e tyre ishte shumë herë më interesante. Po ashtu edhe më e vlefshme se të shihje një kishë, një plazh apo një muze. Prandaj, qëllimi im i ri ishte të bëja të paktën një mik në çdo shtet të botës.
Tirana Today- Refuzoni të jeni një turist, por zgjidhni të jeni më pranë vendasve. Çfarë bëjnë turistët gabim kur udhëtojnë?
Pfundheller- Shumë nga turistët bëjnë thjesht “postcarding” (një term i shpikur nga unë). Pra, shkojnë në pika turistike, të cilat ti normal i sheh në kartolina. Dhe thjesht bëjnë një foto para tij. Nëse turistët shkojnë p.sh, në Afrikë ata punësojnë një udhërrëfyes dhe nuk komunikojnë me vendasit.
Problemi është se këta turistë nuk arrijnë ta mësojnë asnjëherë se si është jeta në të vërtetë për banorët. Dhe është paksa frustuese, sepse vazhdojnë ta shohin botën shumë gabim.
Mbaj mend që gjithmonë ndihesha keq për Afrikën derisa shkova në një takim me një afrikane në Senegal. Dhe jeta e saj ishte e mahnitshme. Ajo kishte një shtëpi të bukur, zotëronte biznesin e saj, kishte mijëra miq që të gjithë kishin një energji ngjitëse. Dhe kuptova se jeta e saj ishte e mrekullueshme dhe më e mirë sesa shumica e miqve të mi në SHBA. Ndërsa vazhdoja të udhëtoja nëpër Afrikë, vazhdoja të bëja më shumë miq vendas dhe të shihja jetë të ngjashme.
Unë shkova në Siri gjatë krizës dhe zbulova se ajo që shihja në lajme ishte krejtësisht e gabuar. Dhe se të gjithë miqtë e mi sirianë ishin shumë të lumtur dhe të dashur. Edhe në Korenë e Veriut – pashë shumë njerëz të lumtur dhe duke shijuar jetën. Këtë e zbulova duke bërë miq vendas atje.
Nga ana tjetër, vizitova pyllin vetëvrasës në Japoni dhe urën vetëvrasëse në Korenë e Jugut. Ku aq shumë njerëz kryejnë vetëvrasje. Aty kuptova se ne gjykojmë gabimisht njerëzit dhe vendet. Shoqëria thotë se nëse një vend ka ndërtesa të zbukuruara (si Japonia), është e suksesshme pavarësisht nëse qytetarët e urrejnë jetën e tyre dhe janë depresion.
Tirana Today- Cili shtet ju ka frymëzuar më shumë?
Pfundheller- Afrika dhe Lindja e Mesme.
Tirana Today- Dhe shtetet që ju kanë lënë një shije të keqe?
Pfundheller- Etiopia dhe Nigeria. Në Nigeri, askush nuk beson asnjë. Çdokush mundohet të mashtrojë të tjerët. Para se të takosh dikë personalisht, ti duhet të flasësh me anë të videos për të verifikuar që janë ata të cilët thonë se janë. Kurse gratë thjesht presin që burrat t’i blejnë gjëra.
Në Etiopi ka jashtëzakonisht shumë racizëm. Disa hajdutë hynë në dhomën time të hotelit. Ndërsa në dhomën tjetër ku po qëndronin dy amerikanë me ngjyrë, nuk ndodhi asgjë. Pavarësisht se e denoncova, policia mori ryshfet nga hajdutët dhe nuk më ndihmuan. Etiopasit shtireshin të ishin miqtë e mi dhe të nesërmen më kërkonin shumë herë para. Një tjetër episod më ka lënë një shije të keqe. Po shëtisja me një vajzë Etiopie, ishte thjesht një mikeshë. Por, teksa kalonim njerëzit vendas e thërrisnin “zuskë”; vetëm se po shoqërohej me një djalë me ngjyrë të bardhë.
Tirana Today- Ndonjëherë ju provokoni me videot tuaja. Duke treguar një anë ndryshe të asaj që shoqëria ka marr për të mirëqenë. I sfidoni njerëzit të mendojnë përtej vetes, edhe kur bëhet fjalë për tema sensitive. Cili është ndryshimi që doni të bëni?
Pfundheller- Mendoj se ne manipulohemi kaq shumë. Dhe ajo që unë po mundohem të tregoj është thjesht ana tjetër e historisë. Edhe nëse njerëzit nuk bien dakord me mua, mendoj se është e rëndësishme të shihen të dyja perspektivat. Po mundohem t’iu tregoj njerëzve realitetin aktual dhe të vërtetën. Në vend të asaj që ata janë programuar të mendojnë për gjithë jetën e tyre. Është shumë e vështirë. Edhe nëse unë kam fakte apo prova, njerëzit duan të besojnë atë që kanë ditur gjithmonë. Po mundohem shumë t’i thyej këto steriotipe në faqen time të Facebook dhe Instagram “Wandering Dentist” dhe kanalit në Youtube “Other Side of the Truth”.
Tirana Today- Për çfarë ka nevojë bota?
Pfundheller- Ne duhet të ndalojmë së gjykuari të tjerët, veçanërisht kultura të tjera pa i njohur më parë. Duhet të jemi më racional dhe realist. Ne ndoshta i gjykojmë shtetet sepse një gruaje i kërkohet të mbulohet apo sepse bllokohen site të ndryshme.
Por, në fund të ditës, kush po lëndohet nga kjo gjë? Çfarë është më e rëndësishme, një fytyrë e mbuluar apo një qytet ku njerëzit po vriten çdo ditë? Është më e rëndësishme të bllokosh një website apo të pengosh njerëzit e varfër apo gratë, për të qenë të suksesshme?
Tirana Today- Si keni arritur të njiheni me vendasit?
Pfundheller- Kur vendosa të përqendrohesha te vendasit, në fillim ata që njoha nuk ishin banorët “tipik” të një shteti. Kryesisht ishin udhëtues si unë, ose të mirë-edukuar dhe zakonisht studionin jashtë vendit. Unë doja të prekja kulturën autentike.
Por, gjithçka ndryshoi kur vizitova Irlandën. I shkrova mesazhe mbi 50 vetave në faqe si couchsurfing.com dhe shumë të tjerëve në Facebook. Por, askush nuk donte të më takonte mua. Shumica e njerëzve që kontaktova ishin meshkuj dhe thjesht donin të takonin turiste femra. Ndaj mendova që të bëhesha e unë pjesë.
Shkarkova Tinder, vendosa foton time më të mirë gjatë udhëtimeve dhe pagova 5 dollarë çdo muaj për të ndryshuar lokacionin në çdo vend të botës. E ndryshova vendndodhjen në Islandë dhe shkova të flija. Kur u zgjova kisha mbi 30 mesazhe, madje dy vajza dolën edhe vullnetarë të më merrnin në aeroport.
Kam takuar vendas të cilët nuk kanë dal kurrë nga shteti i tyre, nuk janë prezantuar kurrë më parë me një të huaj. Dhe më pas ata më kanë prezantuar mua me miqtë, familjet, me vetë jetët e tyre. Pata mundësinë ta shoh botën si askush më parë./ TIRANA TODAY