Problemet me energjinë elektrike nuk ndodhin vetëm në vendin tonë, por anembanë botës. Një gjest për tu vlerësuar ka ndodhur nga disa mjekë, të cilët ndonëse në vështirësi pas ndërprerjes së energjisë, kanë vijuar operacionin me dritën e celularit.
Teksa po kryenin një operacion, mjekët brazilianë pësuan një situatë të vështirë. Energjia elektrike iku, e ata u detyruan të përdornin dritën në celularët e tyre, në mënyrë që të mund të vazhdonin të punonin mbi trupin e pacientit. Ky rast është shënuar në spitalin Maternidade Dona Evangelina Rosa në Teresina, që ndodhet në shtetin e Piaui në verilindje të Brazilit.
Mediat e huaja të cilat përcjellin këtë rast, shkruajnë se spitali mbeti pa drita të premten e 4 tetorit. Energjia u shkëput për shkak të stuhive që goditën këtë pjesë të vendit.
Gjeneratorët në spital nuk u ndezën menjëherë, sepse sistemi nuk e kuptoi që shpërndarja e energjisë ishte ndërprerë. Presidenti i Unionit të Mjekëve, Samuel Moreira Rego konfirmoi përmes mediave sociale se kolegët e tij po përdornin dritën në celularët e tyre, në momentin kur ndodhi mos-ardhja e energjisë. “Deri kur menaxherët do të lënë pas dore sistemin shëndetësor publik? Mjekët janë të mbingarkuar. Ata punojnë në stres për të shpëtuar dikë”.