Një 38-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në ujërat e Liqenit të Maggiore në Meina të Italisë.
Sipas mediave vendase, viktima është identifikuar si Festim Brankollari, dhe trupi i tij u nxor nga ujërat e liqenit disa orë pas kërkimeve nga zhytësit e Brigadës së Zjarrit.
Zhytësit që nxorën trupin e pajetë erdhën nga Milano, ndonëse autoritetet e Aronës kishin shkuar aty menjëherë sapo u njoftuan për ngjarjen. Alarmi fillimisht u dha nga një grup turistësh në orën 06:00 të mëngjesit të djeshëm, të cilët panë nga dritarja përpjekjet e shqiptarit në ujërat e liqenit.
Trupi i pajetë i 38 vjeçarit u gjet në njëzet metra thellësi dhe njëqind metra larg bregut të liqenit, konkretisht larg skelës ku ankoroheshin anijet.
Ai ishte zhytur për të nxjerrë në breg një varkë me pedale, e cila ishte tërhequr nga uji për shkak të erës.