Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Zelandën e Re, teksa kryetari i Parlamentit, Trevor Mallard, është fotografuar duke përkundur një foshnjë, ndërsa po drejtonte një seancë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ishte vetë kryeparlamentari i cili e postoi foton në Twitter, teksa shfaqet duke ushqyer djalin e deputetit homoseksual, Tamati Coffey.
Vogëlushi erdhi në jetë në korrik përmes një nëne surrogate dhe është djali biologjik i partnerit të Coffey, Tim Smith.
Në një postim në lidhje me lindjen e foshnjës, deputeti Coffey tha se ai dhe partneri i tij ishin “të mahnitur me mrekullinë e jetës” dhe nëna surrogate, një mikeshë e Tim Smith po ia dilte mjaft mirë. Në një intervistë për Newshub, deputeti tha se ndjente mbështetjen e kolegëve sa herë merrte djalin në parlament.