E shtunë, 31 Korrik, 2021
31.5 C
Tirana

E gjithë bota ka nevojë për mbrojtje

Si mund të bëhen të disponueshme më shumë vaksina Covid-19?. Mjetet e rritjes së prodhimit janë më të rëndësishme se pronësia intelektuale, shkruan The Economist

Biomjekësia nuk ka përjetuar kurrë diçka të tillë. Deri vitin e kaluar, asnjë kompani nuk kishte krijuar ndonjëherë në një shkallë industriale, një vaksinë kundër sars-cov-2, virusit që shkakton Covid-19. Nga mesi i këtij prilli, u shpërndanë plot 1 miliard doza. Sipas ofruesit të të dhënave Airfinity, 1 miliard doza të dyta priten deri në fillim qershori. Sipas vlerësimeve aktuale, kompanitë farmaceutike pritet të sigurojnë 10.9 miliardë doza në vitin 2021.

Deri tani, përpjekjet kanë rritur aftësinë për prodhimin e vaksinave të të gjitha llojeve. “Është çmenduri”, thotë Tim Gardner, shefi i firmës bioteknologjike Riffyn, që përqendrohet në përshpejtimin e proceseve të prodhimit të ilaçeve. “Ky është një sukses i jashtëzakonshëm”.

Në të njëjtën kohë, shumë pjesë të botës nuk kanë kanale të mira furnizimi. Programi për Aksesin Global të Vaksinave Covid-19 (COVAX), skemë për shpërndarjen e vaksinave me synimin për të siguruar furnizime në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ka shpërndarë deri tani vetëm 59 milionë doza. Shumica e njerëzve më të cenuar duket se nuk do të vaksinohen së shpejti. Kjo gjë do të rrisë numrin e të vdekurve dhe do të zgjasë pandeminë, duke rritur humbjet ekonomike dhe mundësitë për lindjen e varianteve të reja shqetësuese.

Një raport i fundit nga OECD kërkoi investime të vazhdueshme nga qeveritë në kapacitetin e prodhimit të vaksinave, me synimin e arritjes së strategjive afatgjata si “qasjet e koordinuara për ndarjen e pronësisë intelektuale dhe transferimin e teknologjisë”.

Më shumë vëmendje ka tërhequr ndarja e pronësisë intelektuale, jo rritja e investimeve. Që nga tetori i kaluar, Afrika e Jugut dhe India kanë kërkuar të arrihet një marrëveshje ku Organizata Botërore e Tregtisë nuk i detyron vendet të mbrojnë patentat, modelet industriale, të drejtat e autorit dhe sekretet tregtare për vaksinat, mjetet terapeutike dhe diagnostikimet që lidhen me Covid-19.

Amerika, Britania, Bashkimi Europian dhe Zvicra (një vend ku ndodhen shumica e prodhuesve më të mëdhenj të ilaçeve në botë) e kundërshtuan këtë ide. Por më 5 maj, presidenti Joe Biden ndryshoi mendim. Katherine Tai, përfaqësuesja e tregtisë së SHBA-së, tha se administrata do të mbështesë propozimet për të hequr dorë nga mbrojtja e pronësisë intelektuale për vaksinat Covid-19. Vendimin e mbështetën mbi 100 vende si dhe shumë njerëz të zakonshëm që mendojnë se kompanitë e ilaçeve janë të babëzitura për para.

Edhe nëse propozimi miratohet nga vendet, kjo nuk do të ndodhë së shpejti. Disa mendojnë se kjo është një gjë e mirë: një marrëveshje e tillë vetëm sa do të rriste ndërlikimet diplomatike, në një kohë krize globale. Por, nga ana tjetër, nevoja e botës për të krijuar pajisje të reja prodhimi, dhe për të përsosur kapacitetet e ndryshme që ka zhvilluar tashmë, është urgjente. Ndërsa të drejtat e pronësisë intelektuale nuk janë aspak të ngutshme apo urgjente.

Veprime të mençura apo të marra

Rritja e kapacitetit vitin e kaluar ndodhi kryesisht falë ndërhyrjeve të qeverive, si Operacioni Warp Speed në Amerikë dhe Taskforca e Vaksinave në Britani, që garantuan financime dhe nxitën zgjerimin e zinxhirëve të furnizimit.

Këto përpjekje çuan në shpenzimin e shumë parave, të cilat do të ishin humbur nëse asnjë vaksinë nuk do të kishte qenë efikase. Por tashmë që e dimë se përpjekjet nuk ishin të kota, nuk mund të mos mendojmë se qeveritë duhej të kishin qenë edhe më bujare në financim.

Në mars, revista Science botoi parashikime nga një grup ekonomistësh për humbjet totale ekonomike në nivel global, që do të ishin shmangur nëse do të ishin siguruar që përpara shuma të mjaftueshme parash, për të prodhuar vaksina për të gjithë botën, në vend që të prodhoheshin vetëm aq vaksina sa për të plotësuar nevojat e vendeve të pasura.

Ekonomistët llogaritën se, nëse bota do të kishte përgatitur një infrastrukturë të prodhimit të vaksinave të aftë për të prodhuar rreth 1.2 miliardë doza në muaj deri në janar 2021, kjo do t’i kishte kursyer ekonomisë globale gati 5 trilionë dollarë (shih grafikun).

Eric Budish nga Chicago Booth School of Business, një nga autorët e modelit ekonomik, e shpjegon situatën duke përdorur një metaforë hidraulike: është më mirë të vendosësh një tub më të gjerë në fillim të një projekti, sesa të zgjerosh më vonë një tub të ngushtë. Bota e pasur arriti të prodhonte vaksina efektive shumë shpejt, në sasi të mjaftueshme për nevojat e saj: një arritje e jashtëzakonshme. Por kapaciteti i sistemit që ndërtoi, krijoi kufizime të cilat duhet t’i vuajë tashmë pjesa tjetër e botës. Kjo ishte një zgjedhje, jo fat.

Koha më e mirë për të investuar ishte viti i kaluar, por më mirë vonë se kurrë. Prandaj ky financim duhet të kryhet që tani. Deri tani janë autorizuar për përdorim urgjent tre lloje të ndryshme vaksinash: vaksina e bazuar në mARN, vaksina e bazuar në ADN të paketuar brenda një adenovirusi dhe vaksina e bazuar në grimca sars-cov-2 të paaktivizuara.

Kompanitë që luajnë një rol në zinxhirët e furnizimit janë në gjendje të investojnë me siguri për atë që do të vijë, një siguri të cilën nuk mund ta kishin vitin e kaluar. Thermo Fisher, kompani amerikane e cila merret me furnizime shkencore dhe farmaceutike, pasi ka vënë re “rritjen e besimit në vaksinat mARN”, po shpenzon 60 milionë dollarë në një strukturë në Teksas që do të prodhojë më shumë blloqe ndërtimi të nukleotideve nga të cilat krijohen vaksinat mARN.

Klientët perëndimorë preferojnë në përgjithësi vaksinat mARN të krijuara nga Pfizer / BioNTech dhe Moderna. Moderna po rrit prodhimin në të gjithë botën. Kohët e fundit, ajo njoftoi se do të prodhojë 3 miliardë doza vitin e ardhshëm. Më 10 maj, BioNTech tha se planifikon të krijojë një fabrikë në Singapor me kapacitet vjetor prej disa qindra miliona dozash. Firma po diskuton me vendet e tjera në lidhje me pikat e mëtejshme të prodhimit. Një nismë e përbashkët me kompaninë kineze Fosun Pharma mund të prodhojë deri në 1 miliard doza në vit. Një sërë vendesh afrikane janë të etura për sjelljen e teknologjisë në kontinent.

Për fatin e keq të njerëzve të pambrojtur dhe në rrezik shëndetësor në të gjithë botën, asnjë nga këto nisma nuk do të jetë e shpejtë. Stéphane Bancel, shefi i kompanisë Moderna, thotë se duhen minimuni gjashtë deri në nëntë muaj për të arritur kapacitet të konsiderueshëm, që do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë për të rritur kapacitetin këtë vit, përtej asaj çka është planifikuar tashmë.

Edhe kur një kompani zotëron një pikë të gatshme për të marrë pajisje prodhuese mARN, makineritë duhet të porositen, ndërtohen, transportohen dhe instalohen, duhet të rregullohet një furnizim i besueshëm i lëndëve të para dhe njerëzit duhet të punësohen, trajnohen dhe të rriten me shpejtësi proceset e përfshira.

Pollyanna, takohu me Polanyi

Transferimi i njohurive të nevojshme tek ekipet e reja është detyra më e vështirë. Sipas Rob Carlson, një investitor veteran i bioteknologjisë, problemi është se këto njohuri nuk ruhen në një format që është i lehtë për t’u kopjuar midis pajisjeve.

Çdo vaksinë prodhohet sipas një “recete”, e cila rendit gjithçka që duhet në një pikë prodhimi: makineritë, kohën, temperaturat, masat, vëllimet dhe përqendrimet. Një recetë e tillë mund të jetë e gjatë disa qindra faqe. Dhe sërish do të jetë e paplotë; njohuritë e heshtura gjithashtu kanë rëndësi dhe në pjesën më të madhe ato ndodhen vetëm në mendjet e njerëzve shumë të zënë.

Në kushte pandemike, aksesi në njohuritë e këtyre njerëzve është i komplikuar sepse ata janë tepër të angazhuar dhe të lodhur. Zoti Bancel thotë se ekipi i tij “ka punuar shumë për një vit, shtatë ditë në javë … dhe nuk kemi mbaruar as me të gjithë transferimin e teknologjisë për të prodhuar një miliard doza për këtë vit”.

Lexo edhe :   45 raste të reja në 24 orët e fundit, asnjë viktimë

Kompanitë perëndimore që prodhojnë vaksina të pabazuara në mARN, kanë punuar po aq shumë në transferimin e teknologjisë së tyre. AstraZeneca i dha një fokus të veçantë prodhimit të vaksinës së saj të bazuar në adenovirus. Transferimi teknik i vaksinës së Universitetit të Oksfordit në një vend prodhimi britanik, zgjati rreth shtatë muaj, thotë Sandy Douglas, profesori i Oksfordit që menaxhoi transferimin.

Novavax i është dashur një pjesë e mirë e vitit për të transferuar sistemin e prodhimit të bazuar në qelizat e insekteve, për vaksinën e nën-njësisë së proteinave që ende nuk është miratuar në Institutin Serum të Indisë (SII), një prodhues i madh dhe me përvojë i vaksinave. Stan Erck, CEO i kompanisë, thotë se po e përsërit procesin në Republikën Çeke, në Kore, Japoni dhe Amerikë.

Lexo edhe :   "Dy ditë pushim", Çekia gjen mënyrën për të joshur qytetarët që të vaksinohen

Kompanitë farmaceutike kanë bërë 280 kontrata partneriteti që mbulojnë prodhimin e vaksinave Covid-19, thotë Thomas Cueni, kreu i Federatës Ndërkombëtare të Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutike. Rreth tre të katërtat e këtyre marrëveshjeve përfshijnë transferimin e teknologjisë. Ai shton se firmat po ecin mirë në drejtim të përmbushjes së objektivave të prodhimit, duke treguar përfitimet që ofron centralizimi i përpjekjeve për përshkallëzim.

Çantat biologjike dhe shishet e vaksinave

Por, pavarësisht gjithë këtij aktiviteti, disa kompani që kanë aftësinë për të bërë vaksina, nuk po i prodhojnë ato. Teva Pharmaceutical Industries, kompani izraelite që merret me prodhimin e ilaçeve, nuk ka arritur një marrëveshje bashkëprodhimi me ndonjë prodhues të vaksinave Covid-19. Në fund të prillit, ajo tha se i kishte ndalur fare përpjekjet. Incepta, firmë nga Bangladeshi me aftësinë për të prodhuar disa qindra miliona shishka vaksinash në vit, gjithashtu është ankuar se nuk ka qenë në gjendje t’i interesojë prodhuesit në shërbimet e saj.

Duke pasur parasysh kufizimet në zgjerim, është thelbësore që të paktën të mbahen në gjendje të mirë zinxhirët e furnizimit, mbi të cilët mbështetet prodhimi aktual. “Prioriteti numër një sot duhet të jetë që të bëjmë gjithçka që mundemi për të rritur materialet e papërpunuara dhe për t’i çuar ato në qendrat e prodhimit”, thotë Federata Europiane e Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike.

Fatkeqësisht, prodhimi është ngadalësuar në mjedise të ndryshme nga furnizimi i pamjaftueshëm i çantave biologjike (kontejnerë ku krijohen vaksinat), tubave, filtrave dhe mjeteve për rritjen e qelizave. Linjat e furnizimit të Novavax në Britani dhe në Indi janë goditur nga mungesat, disa herë furnizimi ka ndalur fare dhe planet e prodhimit të kompanisë kanë mbetur mbrapa në mënyrë të konsiderueshme.

Më 16 prill, problemet me linjën indiane të furnizimit çuan në një postim interesant në Twitter. Adar Poonawalla, kreu i SII, iu lut presidentit Biden: “I nderuar @POTUS, hiqni embargon e eksporteve të lëndëve të para nga SHBA, në mënyrë që prodhimi i vaksinave të përshpejtohet”. Ai e kishte fjalën për Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes në Amerikë (DPA), i cili i jep presidentit kompetenca të gjera në mobilizimin industrial. Qeveria po përdor DPA-në për t’u dhënë përparësi porosive të firmave vendase për materiale dhe pajisje të përdorura për prodhimin e vaksinave, në krahasim me ato që vijnë nga vendet e tjera. Prodhuesit e huaj që varen nga pajisjet apo materialet amerikane, po i ndiejnë pasojat.

SII tha se vështirësitë për të marrë materiale nga Amerika po vinin në rrezik një linjë furnizimi nga AstraZeneca, si dhe atë nga Novavax; të cilat kanë kapacitet 160-170 milionë dozash në muaj. Më 26 prill, Tim Manning, koordinatori i furnizimit i Shtëpisë së Bardhë për Covid-19, mbrojti përdorimin e PDA-së, duke thënë se nuk është një “ndalim de facto” i eksportit dhe nuk krijon mungesa në furnizim.

Por Biovac, prodhues i vaksinave në Afrikën e Jugut, deklaroi për Reuters se furnizuesi i tij amerikan i çantave biologjike fajësoi në mënyrë të qartë DPA-në për vonesën 14-mujore në dërgesat e çantave. Vitin e kaluar, disa kompani të mëdha farmaceutike filluan të rikrijojnë zinxhirët e furnizimit jashtë Amerikës për t’u shërbyer klientëve ndërkombëtarë. Linja SII Novavax po vazhdon të punojë me një pjesë të vogël të kapacitetit të saj të plotë.

Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, qoftë për shkak të DPA-së apo faktorëve të tjerë, janë një zhgënjim i thellë. “Si ka mundësi që po vonohet prodhimi në Institutin Serum, ngaqë nuk mund të marrë mjaftueshëm materiale?” pyet doktor Douglas.

“Kjo është çmenduri! A po ndodh ngaqë kompania që prodhon materialet ka mungesa? Nëse po, le ta rregullojmë këtë problem”. Probleme të tilla kanë një tendencë shqetësuese për t’u shumëfishuar: kur kompanitë kanë shqetësime në lidhje me zinxhirët e furnizimit, ato grumbullojnë furnizime, duke i rënduar zinxhirët edhe më shumë. Fakti që disa nga pajisjet e nevojshme për bërjen e vaksinave gjithashtu luajnë rol në prodhimin e produkteve me rëndësi tepër të lartë, siç janë trajtimet e kancerit, e ndërlikon situatën, duke krijuar dyshime.

Pavarësisht vështirësive në furnizim, Airfinity thotë se parashikimet aktuale tregojnë se Amerika, Britania, Kanadaja, BE-ja dhe Japonia, do të kenë doza të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tyre të rritur midis verës së vitit 2021 dhe janarit 2022. Por vendet me të ardhura mesatare dhe të ulëta janë në rrezik. Donatorët janë zotuar se do të ofrojnë para për COVAX, por kjo e fundit nuk ka marrë ende vaksinat që duhej të blinte.

Bruce Aylward, këshilltari i lartë i drejtorit të përgjithshëm në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), thotë se COVAX shpreson të ketë vaksinën nga J&J me adenovirus deri në qershor, por “ku i dihet, është në rrezik për një milion arsye, kështu që ndoshta do të jetë gati në qershor, mbase në korrik, apo në gusht”. Nga 40 milionë doza që Pfizer ka premtuar, thotë ai, ajo ka dhënë vetëm 960,000. Megjithatë, kishte disa lajme të mira për COVAX më 7 maj, kur vaksina nga Sinopharm mori autorizimin për përdorim urgjent nga OBSH. Kjo do të thotë se vaksina tani mund të shpërndahet përmes COVAX.

Disa shtete kanë premtuar të dhurojnë doza për COVAX, por vëllimet janë të vogla. Spanja dhe Zelanda e Re, vendet më bujare, kanë premtuar përkatësisht 1.6 dhe 7.5 milionë doza. Deri tani, organizata ka marrë vetëm 100,000 doza të dhuruara, të siguruara nga Franca, të cilat janë dërguar në Mauritani. Rasmus Bech Hansen, drejtuesi i Airfinity, thotë se ka dëgjuar se porositë e mëdha për të blerë nga disa qeveri, mund të rishiten në vend që të dhurohen. Mundësia e dhurimeve mund të venitet edhe më tej nga nevoja e perceptuar për doza përforcuese ndërkohë që përhapen variante të reja.

Shmangia e dështimit

Pengesat në furnizim dhe vonesat në shpërndarje kanë nxitur thirrjet për një raund të ri investimesh shtetërore. Public Citizen, një grup amerikan për përkrahjen e konsumatorit, thotë se Autoriteti i Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor, një pjesë e Departamentit amerikan të Shëndetit, që ofron zgjidhje për emergjencat shëndetësore, nëse do të kishte një fond prej 25 miliardë dollarësh, mund të rriste prodhimin e vaksinave aq sa të shkurtonte pandeminë me disa vjet.

Paratë do të shpenzoheshin për stimulimin e prodhimit në gjithë zinxhirin e furnizimit, për transferimin e teknologjisë dhe për ndërtimin e pikave të reja të prodhimit në të gjithë botën. Të gjithë personat që punojnë në zinxhirin ekzistues të furnizimit me vaksina, të cilët u intervistuan nga The Economist, ranë dakord se kjo ishte një mënyrë e sigurt për të rritur prodhimin e vaksinave edhe më tej. Koha e dytë më e mirë për të vepruar do të jetë gjithmonë tani./javanews

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Lamtumirë doktor!

Nga Dritan Hila Ka kohë që diplomatët amerikanë kanë hequr dorashkat. Jo më larg se dje, ambasadorja e SHBA me një gjuhë cinike iu tha...

Shkelën rregullat kundër Covid, përjashtohen 2 sportistë nga Olimpiada në Tokio

Dy xhudistë të Gjeorgjisë janë përjashtuar nga Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi kanë dalë për shëtitje jashtë Fshatit Olimpik, ka raportuar agjencia japoneze e...

117 milionë euro, Manchester City pranë blerjes rekord

Manchester City është shumë afër goditjes së radhës në merkato. Sipas shtypit anglez, mungon shumë pak për arritjen e marrëveshjes për mesfushorin e Aston Villa-s,...

Koronavirusi/ Profesori grek: Do të krijohen më shumë mutacione ngjitëse

Profesori Theodoros Vasilakopoulos në një intervistë për mediat vendase, foli për rrjedhën e pandemisë në vend dhe procesin e vaksinimit ku thotë se ashtu...

Teatri Kombëtar në pronësi të Bashkisë/ PD: Rama nuk pyet për drejtësinë

Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj vendimin e qeverisë për t'i kaluar truallin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Deputetja e zgjedhur...