Vijon takimi i kreut demokrat Lulzim Basha me aleatët e tij ku po nënshkruajnë marrëveshje për një koalicion të gjerë opozitar.
Kjo marrëveshje përbëhet nga 10 pika dhe është nënshkruar nga kryetarët e disa partive brenda koalicionit opozitar, mes tyre Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, PBDNJ, PAA, PDK dhe PDIU.
Ky koalicion synon krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe do t’i hapë rrugë drejtësisë për të ndëshkuar ata politikanë që janë faktuar se kanë blerë zgjedhjet.
Opozita e bashkuar është shprehur vazhdimisht e vendosur se pa largimin e Edi Ramës nuk mundet dhe nuk do të zhvillohen zgjedhjet lokale. Ata e akuzojnë kryeministrin dhe qeverinë që drejton si manipuluese të vullnetit të popullit duke i blerë votat ose duke i siguruar ato përmes shantazheve.
10 pikat e marrëveshjes:
- Krijimin e një koalicioni të bashkuar opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.
- Partitë nënshkruese të këtij koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
- Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për:
-kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të përkohshme parlamentare.
-përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri.
-Realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit , luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
– Krijimin e klimë së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrje politike.
– Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim.
- Në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme, partitë nënshkruese të këtij Koalicioni angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës.
- Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve (të diktuara nga pakti i Edi Ramës në krimin e organizuar dhe paratë e tyre të pista, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar në të gjithë vendin.
- Rikonfirmojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Shprehim vendosmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap, që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm dhe të shpejtë të Shqipërisë . Familjen Europiane.
- Angazhohemi për të unifikuar dhe miratuar një Platformë të Përbashkët për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare apo politikat rënduese fiskale. Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private. Kjo Platformë e Përbashkët ka për qellim nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim, mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
- Angazhohemi për luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave të pista, si pengesa kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
- Mbështesim çdo qytetar, të drejtat dhe liritë themelore të çdo cilit dhunohet nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore.
- Angazhohemi për një marrëdhënie elektorale me çdo individi apo parti politike, të identifikuara aktualisht si opozitare, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, opozita shpalli edhe protestën kombëtare të radhës e cila do të zhvillohet me datë 11 maj në orën 18:30 dhe që do të jetë e 4-ta e këtij lloji. Gjithashtu eksponentë të rëndësishëm brenda opozitës kanë paralajmëruar jo pak herë se nëse qeveria do të guxojë të shkojë e vetme në zgjedhje, ajo do t’i bllokojë qendrat e votimeve duke mos përjashtuar as mundësinë e krijimit të një konflikti civil.
Nga ana tjetër Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari nuk janë më pjesë e Partisë Demokratike dhe për rrjedhojë nuk mund të futen me siglën e PD-së në zgjedhje. Mbase kjo është edhe një nga arsyet pse një grup nismëtarësh që kanë qenë më herët pjesë e strukturave të PD-së të krijojnë një parti të re e përfolur gjerësisht në media se do të bëhet publike gjatë ditës së sotme emri dhe programi i saj.
Kujtojmë se ishte deputetja Rudina Hajdari ajo që u përfol se do të krijonte një parti të re të quajtur “Bindja Demokratike”, por kjo e fundit pavarësisht është tërhequr nga kjo iniciativë duke ia lënë drejtimin Astrit Patozit, ish-kryetarit të grupit parlamentar të PD-së. Në një takim të zhvilluar në periferi të kryeqytetit mbrëmjen e kaluar dhe që zgjati për rreth tre orë, Patozi dhe një grup nismëtarësh të tjerë përfshirë ish-eksponentë të djathtë mendohet të kenë diskutuar për hapat final të institucionalizimit të kësaj partie duke bërë regjistrimin në KQZ dhe Gjykatë.