Giorgia Meloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme që duket se do ta vendosin atë si kryeministren e parë femër të Italisë, duke udhëhequr qeverinë më të ekstremit të djathtë që nga epoka fashiste e Benito Musolinit.
Duke iu drejtuar mediave dhe mbështetësve në orët e para të mëngjesit të së hënës, Meloni tha se ishte “një natë krenarie për shumë njerëz dhe një natë shpengimi”.
“Është një fitore që dua t’ia dedikoj të gjithëve që nuk janë më me ne, dhe e dëshirojnë këtë natë”, tha ajo. “Nga nesër duhet të tregojmë vlerën tonë… Italianët na zgjodhën dhe ne nuk do ta tradhtojmë, siç nuk e kemi bërë kurrë”, tha ajo.
Rezultatet paraprake vendosin një aleancë të partive të ekstremit të djathtë, të udhëhequr nga partia Vëllezërit e Italisë së Melonit, në rrugën e duhur për të fituar të paktën 44% të votave, sipas Ministrisë së Brendshme italiane.
Me 63% të votave të numëruara, partia ultra-konservatore Vëllezërit e Italisë kishte fituar të paktën 26%, me partnerët e koalicionit, Ligën, të udhëhequr nga Matteo Salvini, duke marrë rreth 9% dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit me mbi 8%. Rezultatet përfundimtare priten më vonë të hënën, por pritet të duhen javë që të formohet një qeveri e re.
Meloni hyri në skenën e mbushur me njerëz të Italisë në vitin 2006 dhe bashkëthemeloi Vëllezërit e Italisë në vitin 2012, një parti; axhenda e së cilës i ka rrënjët në euroskepticizmin dhe politikat kundër imigracionit.
Në zgjedhjet e fundit në 2018, partia fitoi vetëm 4.5% të votave, por popullariteti i saj është rritur në vitet e fundit, duke nënvizuar refuzimin e gjatë të Italisë ndaj politikës kryesore, parë më së fundi me mbështetjen e vendit të partive anti-establishment si Lëvizja e Yjeve dhe Liga e Salvinit.
Duke festuar rezultatet e hershme të dielën në mbrëmje, Salvini tha në Twitter: “Qendra e djathtë në avantazh të qartë si në Dhomë ashtu edhe në Senat! Do të jetë një natë e gjatë, por tashmë tani dua të them FALEMINDERIT”.
Meloni ndryshon nga liderët partnerë të koalicionit për çështjen e Ukrainës. Ndërsa Berlusconi dhe Salvini kanë thënë të dy se do të dëshironin të rishikonin sanksionet kundër Rusisë, për shkak të ndikimit të tyre në ekonominë italiane, Meloni ka qenë e palëkundur në mbështetjen e saj për mbrojtjen e Ukrainës.
Një nënë 45-vjeçare nga Roma, Meloni është thellësisht konservatore, haptazi kundër LBGT dhe ka kërcënuar se do të vendosë në shqyrtim bashkime të të njëjtit seks, të cilat u legalizuan në Itali në vitin 2016. Ajo gjithashtu e ka quajtur abortin një “tragjedi”, duke rritur frikën për të ardhmen e të drejtave të grave në vend.
Burimi i lajmit: CNN. Përshtatur nga Tirana Today