Policia e Shkodrës ka goditur një rast të ‘armëmbajtjes pa leje’, duke bërë të mundur prangosjen e një 54-vjeçari, si dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të dy armëve. Falë kallzimit nga qytetarët, policia ka ushtruar kontroll në banesën e shtetasit me inicialet V.K., ku dhe ka gjetur armët. Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike dhe një pistoletë, me krehër dhe fishekë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra nga qytetarët se një shtetas dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me DVP Shkodër, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit V. K., 54 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku” Shkodër.
Si rezultat i kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike dhe një pistoletë, me krehër dhe fishekë.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i 54 -vjeçarit, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”.