Nga Hassan Hassan “The Guardian”
Historianët e ardhshëm, do të mund ta kujtojnë inkursionin ushtarak të Turqisë në veriun e Sirisë, nisur javën e kaluar, si herën e dytë që presidenti Rexhep Tajip Erdogan i dha me apo pa qëllim një “kamardare shpëthimi” Shtetit Islamik. Hera e parë, ishte kur Turqia i hapi kufijtë e saj që xhihadistët e huaj që depërtonin në Siri. Kjo i dha mundësi ISIS-it, të ngrinte në vitin 2014 një Kalifat, me përmasat territoriale të Britanisë së Madhe.
Si koha ashtu edhe mënyra e ndërhyrjes së Ankarasë, rrezikojnë që ta rëndojnë më tej situatën në Siri, shumë përtej zonës tampon që synon të krijojë Turqia në veri-lindje. Ajo do të lehtësojë presionin që rëndon aktualisht mbi forcat ekstremiste, do të prishë një ekuilibër delikat, si dhe qetësinë relative që ekzistonte në vend për gati 2 vitet e fundit.
Ky operacion i madh vjen në një kohë kritike në luftën kundër ISIS, vetëm 7 muaj pas rënies së Kalifatit, dhe kur stabilizimi dhe rimëkëmbja e vendit, janë ende në fazat e tyre të hershme. Gjatë muajve të fundit, SHBA kishte shtuar përpjekjet për të përmirësuar aftësitë e forcave lokale, në zbulimin dhe eliminimin e celulave të fjetura të Shtetit Islamik. Nën këto rrethana, grupi terrorist dukej që e kishte tepër të vështirë të organizonte një tjetër kryengritje në shkallë të gjerë.
Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump, për ta lejuar Ankaranë të pushtojë zonat që mbroheshin më parë nga SHBA, dhe që kontrolloheshin nga një koalicion i dominuar nga kurdët, nën Forcat Demokratike Siriane (SDF), i kapi gati të gjithë në befasi.
“The Wall Street Journal”, raportoi se një komandant i forcave kurdë që udhëhoqi luftën kundër ISIS, i sulmoi hapur amerikanët në një takim: “Ju na shitët!”. Forcat lokale, të dominuar ende nga kurdët, duhej të mësonin se si të përballeshin me një kryengritje të nëndheshme, që ISIS e kishte përsosur në vitet që pasuan pushtimin amerikan të Irakut.
Përpjekjet kundër këtij rebelimi, rezultuan të ndryshme, dhe ndonjëherë më sfiduese sesa luftimet rrugë-më-rrugë që zhvilloi SDF gjatë 5 viteve të fundit. Ndërhyrja ushtarake në veri të Sirisë, e saboton këtë proces, dhe e shpërqendron milicinë nga detyra e garantimit të sigurisë në zonat e kontrolluara dikur nga ISIS, dhe që përbëjnë një të tretën e vendit.
Pavarësisht nga të metat e tyre, forcat lokale të drejtuara nga kurdët e dëbuan Shtetin Islamik nga çdo qytet dhe fshat. Ky operacion, përfshinte edhe një përpjekje shumë komplekse të mbledhjes së informacionit të inteligjencës. Këto forca mësuan shumë mbi mënyrën sesi operon ISIS. Për t’iu qasur fiseve të zonës, ato përdorën kundër-masat, si dhe një mekanizëm të veçantë komunikimi.
Ndryshimi i kontrollit në veri, do të krijojë boshllëqe, të cilat do të shfrytëzohen nga ISIS. Një skenar i ngjashëm u pa edhe në Irak, ku forcat qeveritare së bashku me militantët pro-iranianë çliruan Kirkukun nga peshmergat kurde 2 vjet më parë. Dhe ajo çka ndodhi më pas dihet:ISIS pa një mundësi të artë për të organizuar një kryengritje të gjatë në atë zonë, e cila u zgjerua edhe në zonat aty pranë.
Sulmi mbi Kirkuk, ishte njëri nga shumë faktorët që i dhanë mundësi ISIS-it ta marrë relativisht veten, më shpejt në Irak sesa në Siri. E njëjta gjë ka të ngjarë të ndodhë në veri-lindje të Sirisë, pavarësisht se sa të afta mund të jenë forcat e mbështetura nga Turqia. Prishja e një arkitekture të tillë të sigurisë, krijon të çara dhe hapësira për një grupim ekstremist, që sheh me entuziazëm çdo lloj shansi për t’u rigrupuar dhe sulmuar.
Sapo sulme të tilla bëhen një normë, ato përhapen në zona të tjera. Ajo çka e bën të mundur një skenar të tillë, është mënyra e vendimit të Trumpit, për ta lejuar Turqinë të vazhdojë më këtë operacion. Vendimi ishte impulsiv, i pa konsultuar me ekipin e tij, dhe aq më pak me aleatët e SHBA-së në terren.
Për më tepër, Ankaraja nuk duket se ka në mendje një plan të qartë, se çfarë do të bëjë me tej në Siri. Nga pikëpamja e turqve, shkatërrimi i një shteti të ri kurd në jug të kufijve të tij, i krijuar nga një grupim që e Ankaraja e sheh si një zgjatim të PKK-së, kryengritësit separatistë që kanë luftuar kundër saj për 4 dekada, ka qenë gjithmonë një prioritet i madh i sigurisë kombëtare. Pavarësisht kostove, pushtimi nxitet nga 2 përparësi kombëtare. Por përtej kësaj përllogaritje, Turqia nuk ka një strategji sesi të dalë nga ky konflikt.
Dhe në fakt, mungesa e një “fund-loje” si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Turqia, shton rreziqet për një boshllëk të sigurisë, rishfaqjen e ekstremistëve, dhe përtëritjen e kaosit në Siri. Një tjetër faktor që duhet marrë në konsideratë, është fakti se para ndërhyrjes Turqia i mori leje edhe Rusisë. Inkursioni, u quajt pjesë e marrëveshjes midis Ankarasë, Moskës dhe Teheranit mbi konfliktin Sirian.
Sipas një burimi sirian, ndërhyrja në zonat kurdë ishte pjesë e një mirëkuptimi rus-turk, në lidhje me fatin e Idlibit në veri-perëndim, fortesa e fundit e rebelëve që luftojnë kundër regjimit të Bashar Al-Asadit. Idlibi dominohet nga grupi i njohur dikur si Jabhat Al-Nusra.
Dhe aktorë të ndryshëm në konfliktin sirian, e kanë pasur të vështirë të bien dakord se si të përballen me sfidën e disa xhihadistëve, që drejtojnë një lëvizje të rëndësishme në vend. Burimi pohon se Turqia i siguroi amerikanët, se ndërhyrja do të pasohet nga hapa seriozë për t’u marrë me Idlibin.
Kjo do të mundësohet nga një inkursion i drejtuar nga Rusia, dhe çdo zhvendosje masive e njerëzve nga Idlibi, do të transferohet në zonat turke brenda Sirisë, dhe jo në Turqi. Deri më sot, Turqia dhe SHBA-ja kanë pretenduar kontrollin mbi dy zona të ndara në Sirinë lindore dhe veriore.
Në të dyja zonat, nëse situata del jashtë kontrollit, ekstremistët do të paraqesin një sfidë serioze. Ndërhyrja turke, mund të nxisë një skenar të tillë njëherazi në të dyja zonat. Nëse fuqitë amerikane dhe perëndimore, nuk angazhohen të parandalojnë një skenar të tillë përçarës dhe të paparashikueshëm, operacioni turk do ta përshkallëzojë më tej luftën civile siriane, duke ringjallur edhe kërcënimin nga ekstremistët xhihadistë, që prej kohësh mendohej se është vënë nën kontroll.
Shënim: Hassan Hassan, është bashkautor i librit “Isis: Brenda ushtrisë së terrorit”, dhe studiues në Qendrën e Politikave Globale në Uashington./ TIRANA TODAY