Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ka reaguar në lidhje me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, veprim për të cilin u mbajt sot një protestë masive.
I ftuar në emisionin “Real Story” në News24, Mazniku e cilësoi godinën e shembur si një të vdekur, që duhej përcjellë për në banesën e fundit.
Sipas tij, ndërtesa kishte mure të prishura dhe nuk mund të kryente më asnjë lloj funksioni.
“Teatri ishte pak a shumë si një i vdekur. Ashtu si një i vdekur që nuk mund të mbahej në shtëpi më dhe duhej çuar që të prehet. Ishte një objekt që nuk kishte më asnjë funksion. I vdekuri pra duhet të merrte rrugën të shkonte përtej. Ajo ndërtesë kishte mure të prishura. Nga ana strukturore, objekti nuk mund të kryente më asnjë lloj funksioni”, tha ai.
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë deklaroi se ndërtesa e Teatrit Kombëtar është shpallur jo funksionale që prej vitit 1957. Mazniku thekson se janë bërë të gjitha diskutimet e nevojshme përpara se të merrej vendimi për shembjen e objektit.
“Unë nuk besoj se të ketë objekt që të ketë më shumë debat. Që në vitin 1957, thuhej se objekti është jo funksional. Unë besoj se në këto vjet është diskutuar me artistë, me intelektualë. Një pjesë e madhe e njerëzve janë bindur. Edhe me grupin e arkitektëve kemi diskutuar. Shumë artistë janë bindur se cila ishte rruga e duhur. Historikisht demokracia kështu funksionon, ka një palë që diskuton, debatohet dhe pastaj merret vendimi”, shtoi ai.