Kryebashkiakja e Bashkisë Durrës, Valbona Sako, ka paralajmëruar se do të merren të gjitha masat ndaj kujtdo që zapton hapësirat publike.
Me anë të një statusi në Facebook, ajo shkruan se teksa kanë nisur përgatitjet për të festuar 75-vjetorin e Çlirimit të Durrësit, po punohet edhe për çlirimin e hapsirave publike.
Sako njofton se Policia Bashkiake ka nisur aksionin, ndërsa thekson se qytetarët e Durrësit meritojnë që të jetojnë dhe të lëvizin me dinjitet në rrugët e qytetit.
Statusi
Ndërsa përgatitemi për të festuar 75-vjetorin e Çlirimit të Durrësit , paralelisht po punohet dhe për çlirimin e hapsirave publike.
Qyteti ynë po futet në stinën e festave kombëtare dhe ka nisur puna për organizimin e disa aktiviteteve për kujtimin e kontributit të atyre që dhanë jetën për çlirimin dhe pavarësinë e Durrësit dhe Shqipërisë.
Krahas respektit për ta, edhe ata që jetojnë në qytetin tonë meritojnë të kalojnë me dinjitet në rrugët tona. Kjo është arsyeja pse Policia Bashkiake ka nisur një aksion për verifikimin dhe marrjen e masave ndaj kujtdo që zapton hapësirat publike.